Binguila vishet bardheblu: Mervejl më ka folur për futbollin shqiptar

0

Te bardheblutë besojnë se mesfushori kongolez është “goditja” e verës në merkato dhe se ka cilësi edhe më të mira se Mervejl. Për t’u parë…

Gjergji Stefa

Tirana e mësoi një javë më parë që Kategoria e Parë nuk do të jetë e lehtë, madje as në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku për të thyer Ilirinë e Fushë-Krujës një javë më parë u desh goxha punë. Gjithsesi rikthimi në Superiore është detyrim dhe trajneri Ze Maria e ka marrë përsipër ta bëjë diçka të tillë sa më parë, ndërkohë që veç kësaj synohet edhe Kupa e Shqipërisë. Për këtë presidenti Refik Halili i ka “dhuruar” disa afrime, më i fundit që ka mbërritur në kryeqytet është mesfushori Hardi Binguila. 21-vjeçari kongolez do të jetë lojtari që do të organizojë manovrën sulmuese të Tiranës, duke zëvendësuar në këtë mënyrë Mervejl Ndokit, shokun e tij të skuadrën në Kombëtaren e Kongos.

PROFILI – Në shkurtin e vitit 2015, Hardi Binguila la Diables Noirs Brazavile në Kongo dhe iu bashkua francezëve të Okserit. Në ekipin e parë nuk ka mundur të luajë dot, kjo edhe për shkak të moshës së re dhe mungesës së eksperiencës. Binguila është aktivizuar me ekipin e dytë (Nacioal 2 – liga e katërt), teksa sezonin e fundit ka zbritur në fushë në 15 ndeshje, 10 herë si titullar. Në nëntor të këtij viti ai është aktivizuar në kualifikueset e Botërorit me Kongon si zëvendësues dhe në 34 minuta që ka luajtur në dy takime ka realizuar një gol në fitoren 3-4 me Etiopinë. Tashmë ai do t’i bashkohet bardhebluve për të provuar Superioren. Sigurisht që dëshira e tij është që të ndjekë rrugën e patriotit të tij Mervejl dhe të transferohet në një kampionat më të fortë, ndërkohë nga ana tjetër Tirana do dëshironte të përfitonte financiarisht në të ardhmen prej tij.

BEKIMI NGA MERVEJL – Ardhja e Hardi Binguilës nuk është aspak rastësore. Futbollisti menaxhohet nga kompania “Sportback”, që menaxhon të gjithë afrikanët e ardhur verën e shkuar. Mervejl dhe Akua u shitën, ndërkohë që ka rinovuar Ede dhe ka një çështje të hapur me Mojse Nkounkou, që është nën kontratë dhe nuk i është përgjigjur thirrjeve për t’iu bashkëngjitur skuadrës. Për të kaluar te Binguila, drejtuesit e klubit kanë kërkuar një opinion edhe nga Mervejl për fantazistin 21-vjeçar. Mesfushori i shitur te Getafe ka thënë fjalët më të mira për shokun e tij në Kombëtare, madje edhe se është më i mirë se vetë ai, çka bën që pritshmëritë në kampin bardheblu të jenë të mëdha për mesfushorin.

PROBLEMI – Trajneri Ze Maria nuk mund t’i aktivizojë të gjithë lojtarët e huaj njëkohësisht, pasi rregullorja lejon që vetëm katër të luajnë në një ndeshje. Braziliani do i duhet që të paktën dy prej tyre të qëndrojnë në stol, pasi në ekip janë gjashtë futbollistë të huaj, pa përfshirë këtu Mojse. Mauxhe duket si lojtari që ka shanset më të mëdha për të mos u lëvizur nga formacioni. Në sulm konkurrenca është shumë e madhe, ndërkohë që këto javë të para Majkëll Ngoo mund të përdoret si alternativë deri sa të fitojë formën fizike, por më pas, kur edhe Ede të jetë në skuadër, atëherë do nisin “dhimbjet e kokës” për trajnerin Ze Maria.

DEKLARATA – “Jam i lumtur që jam këtu dhe për aventurën e re. Tirana është një klub i madh. Mervejl më ka treguar për atmosferën e mirë, futbollin cilësor dhe atmosferën që krijojnë tifozet. Mezi pres të luaj dhe premtoj më të mirën time”.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here