Bind Studenti, i sigurt hapi i parë drejt finales!

0

 

Pikët me sulm të Trokës, por dhe blloku i Ivanovit dhe Malajt, apo dhe Çalit janë kthyer të papërballueshme për Farka Volejin, që duket se do të kënaqet vetëm me daljen në katërshen e më të mirëve. Të premten kthimi në “Farie Hoti”, por në një farë mënyre gjërat janë të pamundura

Gjergj Vyshka

Studenti – Farka Voleji 3-0 (1-0)

(25-19, 25-18, 25-14)

Studenti: Çali, L.Martiro, Malaj, Ivanov, Troka, Qerraxhija, Gorenxa (L)/Tukseferi Trajner: Y.Tomorri

Farka Voleji: Deliu, Bërdufi (L), Qepa, Koçi, Nimani, Metani, Bajrami/Topçiu (L), Xhajkone, Vllaçaj, Hodaj Trajner: D.Bardhi

Gjyqtarë: Ko.Gjoka, T.Zguri (Tiranë)

Asistentë: A.Nurja (Tiranë), R.Ekmekçiu (Elbasan)

Bind Studenti në gjysmëfinalen e parë të Play-off për titull kampion, ndërsa për djemtë e Ylli Tomorrit hapi drejt vajtjes në finale dje ishte i sigurt. Një fitore e pastër 3-0, atje ku pikën e Trokës, por dhe blloku i Malajt dhe Ivanov, apo dhe Çalit, shto dhe këtu shërbimet e sakta të Ledio Martiros janë kthyer të papërballueshme për Farka Volejin. Në një farë mënyre skuadra e Dritan Bardhit duket se do të kënaqet edhe sivjet me daljen deri në katër skuadrat më të mira të kampionatit, sepse vetëm Koçi e Qepa, apo dhe Metani një lojtar që po vjen në rritje, duket se janë pak për të mundur Studentin, tashmë e sprovuar dhe me shumë eksperiencë për të marrë trofe. Madje dhe atëherë kur duket se është në gjendje të vështirë, siç ishte në këtë sezon për një pjesë të mirë të tij për shkak të dëmtimeve të lojtarëve, Studentin e gjen kurajën dhe forcën brenda grupit për të shkuar drejt trofeut. Sigurisht që ka dhe një akt të dytë për të luajtur, të premten në ora 17:00 në sallën sportive “Farie Hoti”. Por për hir të së vërtetës duhet pranuar se gjërat duken të pamundura, aq më tepër që Studenti ka dalë fitues në të gjitha duelet e këtij sezoni përballë Farka Volejit. Jo vetëm në kampionat, por dhe në Kupën e Shqipërisë.

Ndeshja – Në fakt deri në pushimin e parë teknik luhet pikë më pikë derisa Farka Voleji është në avantazh 7-8. Por vetëm kaq, sepse Studentin kthen në 14-13 dhe më pas nis shkëputjen 16-13, 21-15, 21-16 dhe në fund 25-19. I dyti ka gjithnjë kampionët në avantazh 8-4, 10-4, 16-10, 20-13, 21-15 dhe përfundimi 25-18. I treti bëhet krejtësisht pa shije, sepse Studenti është i sigurt në rrugën drejt fitores. 8-6, 13-9, 16-11, 25-14 dhe një fitore e pastër 3-0.

Shifrat – Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes është Troka i Studentit me 18 pikë i ndjekur nga Qepa i Farka Volejit me 12 pikë. Në bllok ka dalë fitues Ivanov i Studentit me 7 mure fituese, pasuar nga Malaj i Studentit dhe Bajrami i Farka Volejit me tre, apo dhe Çali, Troka të Studentit e Qepa i Farka Volejit me dy mure fituese. Në shërbim ka dalë fitues Ledio Martiro me tre të sakta. Në total në tre sete Studenti ka shënuar 75 pikë prej të cilave 56 pikë vetë, kurse 19 pikë kanë ardhur nga gabimet e Farka Volejit. Në krahun tjetër Farka Voleji në tre sete ka realizuar 51 pikë, prej të cilave 39 pikë vetë, kurse 12 pikë kanë ardhur nga gabimet e Studentit. Përfundimisht një fitore bindëse e kampionëve në fuqi.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.