Bilbili “i grisur” i Eneas

0

Nga: Saimir Demi

Enea i Trojës, kushëriri i mbretit Priam, i cili u bë lideri i luftës epike dhe simbol i shpëtimit, kur grekët e dogjën qytetin. Kjo duhet të jetë arsyeja pse e kanë pagëzuar kështu këtë Enean e Kukësit, i cili u vetmohu për t’u dhënë një titull historik verilindorëve. Ndoshta është më mirë të heshtësh në këtë rast, për t’u dhënë mundësinë kuksianëve t’i japin kuptim festës së tyre, por ndoshta do të ishte mëkat të mbyllësh gojën pikërisht pas asaj që ndodhi në finalen e “Zeqir Ymerit”. Enea Jorgji sajoi një çudi gjatë të gjithë 90-minutëshit në ndeshjen Kukësi-Skënderbeu dhe për këtë nuk ka pse turpërohet, pasi e dinte që do e bënte, megjithëse nuk i kishte llogaritur mirë përmasat. Ndërsa ne po, duhet të na vijë turp që e pamë, duke besuar se e meritonim një finale.

Nga ora 17:30 deri rreth orës 19:20 të së shtunës, ndërkombëtari ynë Jorgji bëri aq shumë “gabime njerëzore”, saqë theu një tjetër rekord në këtë edicion rekordesh. E la Skënderbeun me 10 futbollistë pa filluar mirë ndeshja, për një faull shumë të dyshimtë të Micit ndaj Pejiçit, kur në të vërtetë ishte një dyluftim rutinë larg portës dhe për më tepër askush nuk ishte në zotërim të topit. Një penallti e akorduar në favor të sulmuesit shqiptaro-maqedonas, Izair Emini, i cili pati aftësinë të vjedhë edhe vetë Jorgjin.  Më pas, një 11-metërsh i pastër i paakorduar në favor të Skënderbeut, që mund të barazonte rezultatin e takimit, por edhe numrin e futbollistëve në fushë, pasi Shameti meritonte kartonin e dytë të verdhë për ndërhyrjen brutale ndaj Latifit. Një tjetër penallti e pavërshëllyer në favor të Kukësit, ndërsa në fund, Hamdi Salihi i gris kartonin e kuq gjyqtarit në mënyrë demonstrative dhe pasi largohet për në dhomat e zhveshjes thërritet të kthehet sërish në fushë, për të vazhduar ndeshjen. Pas përfundimit të takimit, dikush tha se sulmuesi nga Shkodra nuk duhet të luajë më futboll për hir të gjestit që bëri dhe ndoshta kështu duhet të jetë. Po me bilbilin e Eneas çfarë duhet të bëjnë? A duhet t’ia lënë t’i vërshëllejë me këtë mënyrën që ka zgjedhur, apo t’ia grisin në thonjëza siç bëri Salihi me kartonin që i mori nga xhepi? Kjo po që është pyetje për 1 milionë euro, aq sa i duhet një skuadre të Superligës për t’u shpallur kampion.

Lorenc Jemini e të tjerë janë pezulluar pa afat pa pasur një arsye për motivacionin e dënimit, ndërsa Jorgji rehabilitohet për të shkatërruar ndeshjen e kurorës dhe e gjitha kjo është një agjendë shumë e dyshimtë. Një gjë është e sigurt, zotërinjtë që e udhëheqin këtë sport në Shqipëri e kanë humbur kontrollin dhe janë kthyer në rrezik kombëtar. Madje nuk është e rëndësishme, as nëse Enea jonë nuk është kushëriri i mbretit. Edhe pa të, këta kanë kohë që e kanë vrarë futbollin, njëlloj si në historitë epike…

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image