Bifsha: Me Partizanin asnjëherë e lehtë, shorti i kupës nuk na intereson

Në mungesë të trajnerit Shpëtim Duro dhe zëvendësit të tij, të dy të pezulluar, për Flamurtarin në stol ishte ish-futbollisti dhe trajneri i njohur Petraq Bifsha, pjesë e stafit drejtues te kuqezinjtë.

Në lidhje direkte me Supersportin ai komentoi kualifikimin e vuajtur kundër Partizanit.

“Janë ndeshje shumë të vështira, Partizani është kundërshtar cilësor. Rëndësi ka që u kualifikuam. Patëm situata për të shënuar, por janë ndeshje me specifikë të veçantë, një gol ndryshon gjithçka. Pësuam një gol të pafat në fund, por mendoj se Flamurtari e meritoi kualifikimin.
Skuadra është cilësore, kemi disa lojtarë me trauma të lehta dhe terreni ishte i vështirë, por kemi një stol cilësor. Po përballojmë mjaft mirë kampionatin dhe kupën.

“Shorti? Skuadra është e aftë të përballojë çdo rival, nuk kemi asnjë preferencë. Kemi kaluar një numër ndeshjesh shumë të vështira, mendoj se tani do të ecim edhe më mirë.

“Vuajtjet ndaj Partizanit? Nuk duhet të harrojmë që Partizani është ekip cilësor, ka lojtarë mjaft të mirë, të aftë të zgjidhin situatat. Ata nuk kishin çfarë të humbnin, sulmuan me të gjitha forcat dhe kur ndeshja ishte 1-1 po e administronim shumë mirë, por goli i dytë na i ndërlikoi punët. Gjithsesi, kaluam dhe tani mendojmë për ndeshjen kundër Lushnjës, të dielën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *