Bicaj: Lushnja na e bëri të vështirë, fitorja vlen më shumë se goli im

Qendërmbrojtësi i Flamurtarit, Ditmar Bicaj, mori një karton të kuq ndaj Lushnjës në fazën e parë në Ballsh, por sot bëri një autokritikë të fortë, sepse shënoi golin vendimtar ndaj lagunarëve. Mbrojtësi i fuqishëm nuk e ka për herë të parë rolin e golashënuesit në Vlorë, por nuk i kushton shumë rëndësi këtij fakti, sepse fitorja vlen më shumë se golat personalë.

“Të jem i sinqertë, e prisja një ndeshje kaq të vështirë kundër Lushnjës, skuadër që luan mirë futboll dhe na ka vënë në vështirësi edhe më parë. Mbrojtja e Lushnjës është shtatlartë dhe nuk është e lehtë t’i shënosh, ndërsa vuajtëm goxha për të gjetur golin. Gjithsesi, jo gjithnjë shënon sulmi dhe ndonjëherë shënojmë edhe ne nga mbrojtja apo mesfusha. Jam shumë i kënaqur për tre pikët dhe jemi më të qetë, tani shohim për më lart.

Aventura në Vlorë – “Dua të them që ambientimi në fillim ka qenë i vështirë pasi vija nga një periudhë jo e mirë. Vllaznia po i reflekton këto probleme dhe këtë sezon dhe nuk kam qenë i kënaqur me rendimentin te Vllaznia sepse atje nuk ka një njeri që të qëndron sipër kokës për çdo situatë. Ndihem shumë, shumë mirë. Kam ardhur me shumë dëshirë në Vlorë, pas thirrjes së trajnerit Shpëtim Duro, me të cilin njihem prej shumë vitesh. Jemi një grup i bashkuar dhe po punojmë shumë, të gjithë mundohemi të japim maksimumin dhe natyrisht që e kam vuajtur shumë kur kam marrë karton të kuq ndaj Lushnjës në Ballsh, pasi janë gabime që dëmtojnë skuadrën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *