Bicaj i zbulon të gjitha: Largimi nga Vlora, oferta azere dhe… Skënderbeu

Ditmar Bicaj ishte një nga emrat e mëdhenj që u larguan nga Flamurtari gjatë merkatos. Edhe pse dëshironte të qëndronte në Vlorë, mbrojtësi tregon hapur se stafi i ri teknik, me trajnerin Daja në krye, ka të tjera preferenca. “Në Vlorë përfundoi gjithçka. Dëshiroja të qëndroja te Flamurtari se jam ndjerë shumë mirë, jam i kënaqur si me tifozët, ashtu edhe me drejtuesit e klubit. Me ndryshimin e stafit u largova, sepse çdo staf ka preferencat e veta”, tha Bicaj për “Super Sport”.

Mbrojtësi vijoi: “Nuk ka patur asnjë bisedim. Vetëm u takova me presidentin Idrizi dhe ai personalisht më tha që e kisha derën hapur. U ndjeva shumë mirë. Megjithatë, ai u lë dorë të lirë trajnerëve, është shumë normale. Trajneri i ri ka preferencat e tij, unë e shikoja veten të tepërt dhe do shoh mundësi tjetër. Ne futbollistët jemi pak a shumë si makinat, dikush pëlqen një markë, dikush një tjetër”.

E ardhmja mbetet ende për t’u zbuluar, ndërsa oferta e parë nga jashtë Shqipërisë ka ardhur. Interes për 29-vjeçarin ka shfaqur Sabail nga Azerbajxhani. “Menaxheri po merret me të ardhmen time. Kam vetëm një ofertë zyrtare nga Azerbajxhani, klubi quhet Sabaili. Edhe në Shqipëri kam kontakte me një ekip, që nuk mund ta them. Pista e Azerbajxhanit është në planet e mia”.

Nëse do të qëndronte në Kategorinë Superiore, Bicaj do të ishte gati për Skënderbeun. Një detyrim moral në këto kohë të vështira për klubin, për katër sezonet e kaluara në Korçë. “Siç thotë populli, gjuha shkon ku të dhëmb dhëmbi. Pavarësisht problemeve që ka Skënderbeu sot, do ta ndihmoja. Kjo sepse kam kaluar shumë mirë atje, jam ndjerë i vlerësuar. Është pak a shumë edhe detyrim moral, futbolli nuk është thjesht çështje financiare”, përfundoi mbrojtësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *