Bicaj flet si vlonjat: E kisha peng, nuk refuzoja dot

0

Qendërmbrojtësi lezhjan ka nënshkruar dhe dje është prezantuar para medieve. “Dua t’ua shpërblej besimin e dhënë në fushën e lojës, duke dhënë maksimumin”

Elton Nika

Flamurtari zyrtarizon afrimin e parë në merkaton e verës. Ditmar Bicaj vishet kuq e zi dhe do të jetë lojtar i Flamurtarit për sezonin e ardhshëm. Lezhjani ka firmosur një kontratë njëvjeçare, me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit tjetër. “Sport Ekspres” e pati paralajmëruar pak ditë më parë se Bicaj pritej të vishej kuq e zi, pas një takimi që mbrojtësi pati me trajnerin Shpëtim Duro në kryeqytet. Tashmë ky afrim është bërë zyrtar te Flamurtari dhe mbrojtësi lezhjan ka dhënë edhe intervistën e parë për mediat. Bicaj në kampionatin shqiptar ka veshur edhe fanellat e Dinamos, Tiranës, Skënderbeut, Partizanit dhe Vllaznisë, ndërkohë që ka luajtur edhe jashtë kufijve të vendit, në kampionatin bullgar dhe atë iranian. Dy  vjet më parë, në merkaton e dimrit, Ditmar Bicaj pati një marrëveshje me vlonjatët, por më pas nuk u konkretizua, teksa lojtari vendosi të luante në Iran te skuadra e Traktor dhe më pas te Partizani. Sezonin e kaluar qendërmbrojtësi veshi fanellën e Vllaznisë dhe tashmë lojtari është zyrtarisht i Flamurtarit.

-Ditmar,tashmë jeni lojtar i Flamurtarit. Si ndiheni?

-Po tashmë kam nënshkruar zyrtarisht me Flamurtarin dhe jam lojtar i skuadrës vlonjate. Më vjen mirë dhe jam i kënaqur me këtë zgjedhje, duke u afruar te një emër dhe skuadër e madhe e futbollit shqiptar. Padyshim që ishte zgjedhja e duhur, pasi kam përfunduar kontratën dhe aventurën te Vllaznia.

-Çfarë ju bindi të vishnit fanellën e Flamurtarit?

-Së pari projekti që ka Flamurtari këtë sezon, për të qenë minimalisht në tri vendet e para të kampionatit, por edhe nuk mund t’i thosha jo kësaj oferte të bërë nga drejtuesit e Flamurtarit, të cilët më kërkuan të jemi pjesë e ekipit. Natyrisht që edhe trajnerin Duro e njoh mjaft mirë, për vetë faktin se së bashku kemi punuar te Skënderbeu, apo edhe Partizani. Drejtuesit e klubit më kërkuan, ndaj dua që këtë besim t’ua shpërblej në fushën e lojës në sezonin e ardhshëm futbollistik.

-Dy vjet më parë ishit pranë Flamurtarit..

Edhe për këtë arsye. Atëherë isha shumë pranë Flamurtarit dhe tashmë bëhet realitet. Ishte ndoshta edhe një peng i imi për të veshur këtë fanellë dhe tashmë ja ku jam, këtu në Vlorë te Flamurtari, për të dhënë maksimumin.

-Çfarë Flamurtari prisni këtë sezon?

-E thashë edhe më lart. Është një projekt mjaft ambicioz dhe synimi është që Flamurtari minimalisht të luftojë për tre vendet e para, për trofe apo kupat e Europës. Padyshim që të gjithë presim një Flamurtar shumë cilësor, për vetë emrin dhe traditën e kësaj skuadre në futbollin shqiptar. Jam i bindur se ky projekt këtë vit do të jetë mjaft cilësor dhe një skuadër nga më të mirat në kampionatin shqiptar.

–Cilat janë kushtet e kontratës tuaj?

-Kam firmosur për një vit me opsion për të rinovuar edhe për një tjetër vit. Megjithatë, i rëndësishëm mbetet ky sezon që nis në gusht, pastaj të shohim. Jam këtu për të bërë më të mirën për Flamurtarin, së bashku me lojtarët që do të jenë pjesë e këtij Flamurtari. Jam i krishterë, por jemi në muaj Ramazani dhe mund të them vetëm këtë: “Paratë dhe mëkatet nuk tregohen”. Termat financiarë nuk kanë rëndësi. Rëndësi ka fakti që jam  pjesë e Flamurtarit.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.