Bicaj: Asnjë nënvlerësim Korabit, për të ardhmen flasim në fund të sezonit!

0

Gaspër Marku

Korabi është kundërshtari i radhës për Vllazninë, ekip ky i rënë matematikisht nga Superiorja, çka bën që në opinionin sportiv të krijohet përshtypja e parë se do të jetë një ndeshje e lehtë. Për shtatlartin e mbrojtjes shkodrane, lezhjanin Ditmar Bicaj, një gjë e tillë nuk duhet të ekzistojë aspak, jo vetëm në opinionin publik, por edhe në gjirin e skuadrës së tyre. Për këtë Bicaj sjell ndër mend edhe rastin “Tërbuni” të një sezoni më parë, kur pukjanët arritën të befasojnë Skënderbeun kampion në Korçë. “Raste të tilla, që një ekip pa pretendime ka bërë surpriza edhe në përballje me skuadra më të forta, ka pasur jo pak, jo vetëm në futbollin shqiptar, por edhe në atë ndërkombëtar. Megjithatë, nuk duhet të shkojmë shumë larg, vetëm të sjellim ndërmend se çfarë bëri Tërbuni i Pukës vjet në Korçë, kur mundi brenda kampionë e Skënderbeut”, – thotë për “Sport Ekspres” fillimisht mbrojtësi Bicaj. Me këtë ai bën të ditur se nuk do të ketë asnjë nënvlerësim në përballjen e së shtunës ndaj Korabit. Sipas mbrojtësit, shembulli më i mirë është ndeshja Korabi-Tirana, e luajtur në “Loro Boriçi”, që përfundoi 1-1. Masat për ta vlerësuar si duhet kundërshtarin, Bicaj thotë se janë marrë edhe nga ana e stafit teknik, me në krye trajnerin Cungu. Gjatë gjithë këtyre ditëve u është bërë apel futbollistëve për të qenë sa më të mobilizuar në procesin stërvitor, në mënyrë që ditën e ndeshjes forma e tyre të jetë optimale. “Nënvlerësim nuk do të ketë absolutisht ndaj Korabit, sepse e dimë të gjithë se ndeshja duhet fituar në fushë, jo jashtë saj. Kjo do të thotë se nga minuta e parë duhet të jemi agresivë për ta zhbllokuar rezultatin dhe për të dalë fitues. Nuk na lejohen hapa falsë. Si me Korabin, si me Partizanin apo me Skënderbeun, tri pikët janë të njëjta”, – shprehet Bicaj.

FLAMURTARI – Për ndeshjen e kaluar ndaj vlonjatëve, në adresë të skuadrës ka pasur kritika për lojën mbrojtëse, madje, duke iu faturuar këtij reparti humbja ndaj Flamurtari. I pyetur në lidhje me ato që janë thënë për repartin, ku ai bën pjesë, Bicaj e pranon një gjë të tillë: “Dihet që kur ekipi humb, do ketë kritika, por të mos harrojmë se ekipi në 7 javët e fundit ka pësuar vetëm 3 gola. Ekipi ka pasur rritje shumë të madhe, si në fazën sulmuese, ashtu edhe në fazën mbrojtëse, çka do të thotë që jemi në rrugën e duhur për objektivin madhor”, – thotë Bicaj, i cili më tej shton: “Mendoj se kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë, duke qenë më mirë se kundërshtari në çdo aspekt, por jemi goditur në dy raste nga mungesa e përqendrimit, si te goli i parë, ashtu edhe tek i dyti. Kishim mundësitë tona, por ishim pa fat te dy traversat e goditura nga Bardulla dhe Tafili”. Bicaj pohon gjithashtu se në ndeshjen e fundit ishte edhe një penallti e mohuar ndaj Vllaznisë në pjesën e parë, për një ndërhyrje ndaj Hebajt.

VAZHDIMËSIA – Vllaznia do t’i bëjë shërbimin maksimal çdo ndeshjeje të mbetur për të marrë pikët e duhura, që do t’i shërbejnë për të kapur vendin e 4-t në renditje. Më pas do të pritet se kush do ta fitojë Kupën e Shqipërisë, me shpresën se do triumfojnë korçarët dhe vendi i katërt do të luajë në Kupat e Europës. “Kemi edhe 6 ndeshje të tjera deri në përfundim dhe mendoj se duhet të jemi të përqendruar dhe seriozë, sepse jemi në luftë për vendin e katërt, një vend që mund të na çojë në Kupat e Europës. Nëse realizohet një gjë e tillë, do të ishte një mbyllje shumë e mirë e këtij sezoni, si në planin personal, ashtu edhe për klubin”, – vijon mbrojtësi shtatlartë.

E ARDHMJA – Bicajt nuk i mungon dëshira për të vijuar të qëndrojë te Vllaznia, por vendimi për të ardhmen do merret në kohën e duhur. Ai konfirmon se ka pasur kontakte dhe se ka marrëdhënie shumë të mira me drejtuesit e klubit dhe se në fund do të merret vendimi më i mirë për të dyja palët. “Kontaktet me klubin nuk kanë munguar. Kam marrëdhënie të shkëlqyera, si me presidenten e klubit, zonjën Voltana Ademi, me administratorin Gjyrezi, po ashtu dhe me stafin teknik, me në krye trajneri Cungu. E rëndësishme është të arrihet objektivi, pastaj të tjerat besoj që do zgjidhen me mirëkuptim dhe në shërbim reciprok”, – e mbyll prononcimin e tij Bicaj.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.