Besnikëria shpërblehet, klubi spanjoll rinovon me lojtarët që pranuan ulje page

Në futboll nuk ka vetëm miliona dhe sheikë, por edhe klube që me zor arrijnë të përballojnë shpenzimet mujore dhe festojnë nëse në fund të sezonit mbijetojnë, si në fushë, ashtu edhe në financa.

Klubi spanjoll Lugo është një prej klubeve që vitet e fundit ka pasur probleme financiare, por ka gjetur mirëkuptimin e lojtarëve dhe si shpërblim, u ka rinovuar kontratën atyre që i kanë qëndruar besnikë.

Prej disa vitesh në Segunda Division, Lugo kishte probleme në përmbushjen e kritereve të Federatës Spanjolle këtë verë, sepse iu vendos një çati pagash që nuk lejohej ta kalonte.

Disa lojtarë pranuan të ulnin pagën, vetëm e vetëm që Lugo të regjistrohej në kampionat dhe sot presidenti Tino Sakes ka bërë të ditur se klubi u është mirënjohës 9 lojtarëve që e kryen gjestin fisnik dhe të gjithëve u është ofruar rinovimi i kontratës. Bëhet fjalë për disa prej veteranëve të skuadrës dhe kapitenëve të saj, duke nisur nga lojtari simbol i ekipit, Karlos Pita, i cili luan prej 8 vitesh te Lugo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *