Beshiktashi më keq se klubet shqiptare, e padit portieri i Liverpulit!

Raporti midis Loris Karius dhe klubit të Beshiktash është në një gjendje kritike. Këtë fundjavë “gardiani” gjerman u kritikua shumë haptazi nga trajneri Shenol Gynesh pas paraqitjes së dobët ndaj Koniasporit: “Ishte faji i tij që pësoi golin e parë. Ishte jo i qartë në atë që bëri, jo i përqendruar. Nuk e di çfarë ka këto kohë, por nuk më duket vetvetja. I ka humbur dëshira, motivimi, entuziazmi për futbollin. Nuk më duket se është më pjesë e ekipit”, tha trajneri në përfundim të sfidës.

Siç duket kjo deklaratë e trajnerit ka bërë që Karius të mos durojë më dhe ta nxjerrë të vërtetën sheshit. Portieri i huazuar nga Liverpuli është një ndër lojtarët më të paguar në skuadrën nga Stambolli me një pagë vjetore prej 5 milionë eurosh në sezon (bruto), por prej më shumë se katër muajsh ai nuk po paguhet.

Në këtë situatë nuk ndodhet vetëm Karius, por edhe shumë lojtarë të tjerë të Beshiktashit, një ndër to dhe Gokhan Tëre, të cilin klubi e ka detyruar të stërvitet prej muajsh të vetëm me një përgatitës atletik dhe së fundmi deklaroi për mediat turke se po pret që klubi t’i shlyejë 9 paga mujore.

Për këtë problem, Karius bëri një ankesë në UEFA më datë 20 shkurt, por kjo nuk solli ndonjë të mirë për gjermanin, i cili tani do të përballet me klubin e tij në një “betejë” ligjore, duke iu drejtuar gjykatës për të marrë atë që i takon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *