Besëlidhja s’ndalet, Vllaznia B denoncon sërish braktisjen nga bashkia

Lezhjanët janë të pandalshëm, “shpërthen” dyshja e sulmit Ajazi që realizon dopietë e Bangoura

BESËLIDHJA – VLLAZNIA B  3-0

Shënues: Ajazi 9’, 90’, Bangura 33’

BESËLIDHJA: Demi, Vocaj, Dore, Dibra, Ndreca, Met’hasani (Frroku 6’), I. Kamara, Konte (Gomes 88’), Hepaj, Bangura, Ajazi (Miloti 91’). Trajner: A. Pepaj. (NË DISPOZICION: Bajri, Dyca, Hidri, Përgjoni).

VLAZNIA B: Vjerdha, Mehmedaj (Kushi 46’), Balaj, Miloti, Ruqi (Hoti 67’), Bega, Dema, Erkoçeviç (Kola 46’), Hajdari, Djepaxhia, Dibra. Trajner: A. Mehja. (NË DISPOZICION: E. Hasani, Hallunaj, A. Hasani).

GJYQTARË: E. Dyrmishi, E. Potomi, B. Mesi, R. Muska (Tiranë)

 

KARTONË TË VERDHË: Ndreca 15’, Hepaj 30’, I. Kamara 74’ / Erkoçeviç 38’, Balaj 69’, Bega 71’, Kushi 85’.

Bernard Gjikolaj

Besëlidhja nuk di të ndalet dhe dje ka mundur falë një loje bindëse, me rezultatin 3-0 skuadrën e Vllaznisë B. Me këtë fitore, skuadra lezhjane afrohet shumë me kreun e renditjes, kurse shkodranët janë në kaos dhe krizë rezultatesh…

NDESHJA – Futbollistë e Besëlidhjes e sulmojnë portën shkodrane në të 4’ me anë të Ajazit dhe Bangouras, por edhe Hepajt, por të tre janë të pasaktë në finalizim. Në të 9’ janë përsëri futbollistët e Besëlidhjes që sulmojnë me shpejtësi duke e mbyllur Vllazninë B në mbrojtje. Met’hasani kroson në zonë dhe Ajazi nuk fal, por e dërgon topin në rrjetë dhe 1-0. Pas pësimit të golit, shkodranët e Vllaznisë B kërkojnë kontrollin e lojës dhe ja dalin që në të 16’ të futen në zonën e Besëlidhjes, gjuan Erkoçeviç, por portieri Demi në pozicion pret pa vështirësi. Në të 22’ ishte një rast ideal për dyfishimin e shifrave nga ana e lezhjanëve të Besëlidhjes, kur Ajazi ishte në pozicion përballë portës shkodrane, por hutohet në çastin e fundit. Në të 33’ ishte I. Kamara që sulmon djathtas, topi kontrollohet nga Hepaj, ky asiston për Bangouran që ishte në pozicion të volitshëm shënimi, nuk gabon dhe 2-0. Me këtë rezultat mbyllet edhe pjesa e parë.

PJESA E DYTË – Pas disa rasteve të Besëlidhjes, ishte Djepaxhia për shkodranët e Vllaznisë B që në të 65’ sulmon me shpejtësi, gjen portën dhe gjuan, por ishte portieri Demi që e grushton topin në korne. Përsëri janë shkodranët që pas krosit nga këndi i djathtë i sulmit të tyre me anë të Demës, por pa mundur të gjejnë golin. Në të 76’ Besëlidhja organizon një sulm të shpejtë që nga gjysmëfusha e saj dhe ishte Bangoura që i jep një top të shkëlqyer Ajazit që ishte në pozicion të mirë shënim, por topi nuk i bindet duke kaluar ngjitur me pingulen e Vjerdhës. Përsëri në të 88’ ishin futbollistët e Besëlidhjes që futen rrezikshëm në zonën shkodrane, por nuk lejon mbrojtja. Kur gjithçka po shkonte drejt fundit dhe takimi ishte mbërthyer në shifrat e Bardha 2-0 për Besëlidhjen, në të 90’ përsëri dyshja Bangoura-Ajazi sulmojnë. Madje, Bangoura i jep një top të saktë Ajazit, i cili e kthen në gol duke realizuar dopietën e tij dhe të tretin për Besëlidhjen. Me fitoren e vendasve, me rezultatin 3-0 mbyllet i gjithë takimi në Lezhë.

Pas ndeshjes

Pepaj, trajneri i Besëlidhjes: “Jam mjaft i kënaqur pasi skuadra dha maksimumin përballë një Vllaznie B me kualitete. pasi ishim përgatitur fort për ta përballuar këtë skuadër që i përket shkollës shkodrane të futbollit. Ne ja dolëm që ta zgjidhnim shpejt situatën dhe kjo na lehtësoj nga ana psikologjike, duke shënuar edhe dy herë të tjera. Kjo fitore na jep besim për të ardhmen, pasi kemi nisur ta lehtësojmë rrugën drejt objektivave. I uroj suksese Vllaznisë B, pasi ka lojtarë cilësore dhe kjo nuk ishte ndeshje e lehtë, jo vetëm për ne por edhe në të ardhmen”.

Mehja, trajneri i Vllaznisë B: “Jo vetëm Vllaznia B, por edhe Vllaznia ka problem dhe këto nuk po gjejnë zgjidhje. Ne jemi nisur për në Lezhë për një pikë të paktën, por nuk ja dolëm duke e humbur ndeshjen thellë dhe kjo duhet analizuar me vërejtje të madhe. Siç e theksova edhe më lart, Vllaznia nuk po mbështetet nga askush dhe kjo e ka dhënë impaktin e vet negativ. Unë me këtë rast dua që të denoncoj gjykimin, që jo në këtë ndeshje por në shumë ndeshje na kanë ndëshkuar, dikush është i interesuar që ta ulë në të dytën Vllazninë B, por jo s’ka për të ndodhur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *