Besëlidhja s’di të fitojë, Kastrioti prek Superioren

Barazim në Lezhë, por krutanët konsolidojnë pozitat në krye të renditjes

Bernard Gjikolaj

Besëlidhja e Kastrioti ndahen në paqe, ndërsa me këtë barazim lezhjanët “lajnë duart” një herë e mirë me Superioren, ndërsa Kastrioti merr arratinë dhe zor se mund të humbasë. Një ndeshje e fortë, me raste nga të dyja skuadrat…

NDESHJA – Të parët ishin krutanët që e dhanë sinjalin që në të 2’ me në të Markut duke u futur rrezikshëm në zonën lezhjane, por ishte mbrojtja që e largon rrezikun. Në të 9’ Besëlidhja hidhet në sulm të shpejtë me anë të O. Kamara nga e majta e sulmit, sapo i afrohet zonës krutane kroson në zonë, por u tregua i shpejtë Kuka duke e kontrolluar topin. Në të 16’ miqtë krutanë organizohen duke sulmuar zonën lezhjane dhe sapo i afrohen asaj ishte Boci që gjuan fort dhe topi pasi përplaset në një mbrojtës vendas del në këndore, por krosi i sajë nuk shfrytëzohet. Në të 34’ ndizen gjakrat dhe janë vendasit ata që sulmojnë me shpejtësi, por mbrojtja krutane detyrohet që Bajiçin ta ndalë me faull tek harku i zonës rreptësisë. Në të 35’ goditja e dënimit ekzekutohet nga Bajiç, por shënjestra i rreh poshtë, kësisoj topi përplaset në murin krutanë duke u kthyer në lojë. Në të 37’ ishte Erkoçeviç që pasi shmang dy futbollistë miq, gjen Bajiçin të zbuluar në zonë, ky i fundit e godet topin fort, por në kordinata të gabuara mbi traun e Kukës. Në të 40’ krutanët organizohen në sulm me anë të Çutrës, ky i jep një top Kabiru që gjuan, por topi kalon jashtë kuadratit të Bajrit. Krutanët hidhen të gjithë në sulm në minutat shtesë të fraksionit të parë dhe në të 45+2’ ishte sulmuesi Marku që futet rrezikshëm brenda zonës vendase duke e vënë në alarm, por njëri nga mbrojtësit e nxjerr topin në këndore. Me rezultatin 0-0 mbyllet pjesa e parë.

PJESA E DYTË – Met’hasani e Bajiç kanë dy raste, por nuk gjejnë rrjetën e Kukës. Në të 69’, Kastrioti ndërmerr një kundërsulm të shpejtë duke e copwtuar mbrojtjen lezhjane, por portieri Bajri ja del që ta largojë rrezikun duke e nxjerrë me vështirësi topin në këndore. Në të 72’ miqtë krutanë ishin pranë avantazhit, por Kabiru pasi kalon edhe Bajrin, e nxjerrë topin jashtë. Duke u afruar fundi nxehet edhe më shumë loja duke i dhënë bukuri asaj, por janë mbrojtjet respektive në lartësinë e duhur dhe nuk lejojnë rrezik në zonat e tyre. Në të 78’ ishte Kastrioti që ngulmon në kërkim të avantazhit me anë të Markut dhe Kabiru, por mbrojtësit lezhjanë e largojnë pastër rrezikun nga zona e tyre. Lufta sportive vijon por pa ndonjë rast konkret shënimi deri në fund, ndonëse u akorduan edhe 5 minuta shtesë.

Pas ndeshjes…

  1. Lani, trajneri i Besëlidhjes: “Ndonëse luftuam fort, por nuk ja dolëm që rastet e krijuara ta shfrytëzonim ndonjërin pavarësisht volumit të madh të lojës që prodhuam. Ne ishim përballë Kastriotit kryesues ndaj ishim përgatitur seriozisht, por nga njëherë edhe fati bëhet pjesë e lojës. Gjithsesi diferencës prej 10 pikëve, ne do të luftojmë fort që 7 takimet e mbetura ti konsiderojmë si finale për të marrë sa më shumë pikë nga 21 që janë ende në lojë, pasi ende nuk kemi hequr dorë nga pretendimi ynë për ngjitje”.
  2. Nikaj, trajneri i Kasatriotit: “Realisht ne këtu në Lezhë kishim ardhur për fitore dhe luftuam fort për ta marrë atë që na takonte, por nuk ja dolëm që rastet shumta të krijuara t’i kthenim disa syresh në gola. Ne, të gjitha ndeshjet e mbetura do t’i marrim me radhë dhe do t’i konsiderojmë si finale pasi jemi të vendosur për tu ngjitur në Superiore sepse deri këtu kemi ardhur me meritë. Besëlidhjes i uroj suksese në rrugën e saj drejt objektivave”.

BESËLIDHJA – KASTRIOTI     0-0

BESËLIDHJA: Bajri, Malaj , Dore, I. Kamara, Ndreca,  Berisha, Met’hasani, Erkoçeviç (Dushaj 90+4), O. Kamara, Frroku (Miloti 84’), Bajiç. Trajner: G. Lani. (Në dispozicion: Jaku, Zhejani, Konte).

KASTRIOTI: Kuka, Husein (Lilaj 65’), Lila, Çela, Hoxha (Mulaj 57’), Mziu, Karakaçi, Çutra (Vatnikaj 86’), Boci, Marku, Kabiru. Trajner: S. Nikaj.

GJYQTARË: E. Sino, I. Tartari, O. Grabova (Fier), O. Çela (Lushnje)

KARTONË TË VERDHË: Dore 67’, Frroku, 76’, Malaj 77’ / Lila 45+1’

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *