Besëlidhja mendon për Elvis Plorin

Në Lezhë synohet që ndryshimi të vijë nga stafi teknik. Tekniku 38-vjeçar kandidaturë serioze. Shkodrani: “Ende nuk ka asgjë konkrete”.

Vladimir Prenga

Besëlidhja ende nuk ka nisur me përgatitjet, por shumë shpejt drejtuesit do të nisin të mendojnë seriozisht për riorganizimin e ekipit. Si kudo, gjithçka nis nga trajneri, teksa nga ana e presidentit Gjokë Noka akoma nuk është konfirmuar vazhdimi i bashkëpunimit me trajnerin Alban Bruka. Momentalisht gjithçka është në ajër, por favor për lezhjanët është fakti që një pjesë e mirë e titullarëve kanë kontrata afatgjata dhe e ardhmja e tyre është në dorë të klubit. Pra, baza e ekipit është dhe vetëm duhen bërë disa ndërhyrje për të qenë gati për sezonin e radhës.

PLORI – Kohët e fundit janë intensifikuar zërat që në krye të Besëlidhjes sezonin e ardhshëm do të jetë shkodrani Elvis Plori. Ish-trajneri i Kastriotit, që sezonin e fundit ka punuar me moshat e Internacional Tiranës, është një kandidaturë serioze për të marrë drejtimin e skuadrës lezhjane. Lidhur me të ardhmen e tij në krye të Besëlidhjes, gazeta ka kontaktuar me vetë Plorin, i cili ka dhënë edhe versionin e tij të situatës me klubin e financuar nga Gjokë Noka. “Aktualisht jam nën kontratë me Internacional Tiranën dhe të them të drejtën ndihem mirë me kushtet që më janë ofruar aty. Sigurisht që për karrierën time do ishte mirë të merrja drejtimin e një ekipi, por unë jam i vendosur të jem i matur në hapat e mëtejshëm që do ndërmarr. Jam i hapur për të bashkëpunuar me klube që pretendojnë të ngjiten në Superiore dhe Besëlidhja është ndër ato klube që gjatë këtyre viteve ka investuar shumë për elitën. Sa i takon situatës time me këtë ekip dhe drejtuesit e saj, ju them se deri më tani nuk ka pasur diçka konkrete, thjesht zëra dhe interesime, por jo drejtpërdrejt nga ana e drejtuesve të klubit. E thashë edhe më parë, unë jam i hapur për të bashkëpunuar me klube serioze, ndërkohë që për momentin kam një ofertë konkrete në Mal të Zi, për të cilën po mendohem”, deklaroi Plori për “Sport Ekspres”. Tekniku shkodran njihet për eksperiencën e tij të gjatë në akademinë e Vllaznisë, ndërkohë që ka qenë edhe në pankinën e kuqebluve si zëvendës-trajner më së shumti, por në disa ndeshje ka pasur mundësinë edhe të drejtojë ekipin. Në të shkuarën 38-vjeçari ka drejtuar edhe Burrelin, Tërbunin e Kastriotin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *