Besëlidhja, Krepi merkato në Shkodër “harrohet” tradita!

0

 

 Lezhjanët vitet e fundit kanë harruar lojtarët vendas dhe duket se janë përqendruar më shumë tek jabanxhinjtë, të cilët në fund të sezonit largohen…!

 

Bernard GJIKOLAJ  

Tashmë që Besëlidhja e ka një emër trajneri që pritet të nënshkruajë edhe kontratën, që është shkodrani Kreshnik Krepi, ka gjasa që edhe merkato verore të orientohet nga tregu shkodran i futbollistëve. Ky nuk është një hamendësim, por një provojë që tashmë është instaluar në sistem në futbollin tonë. Kur tek Besëlidhja erdhi si trajner Sinan Bardhi, kontigjenti dominues i futbollistëve ishte ai i tiranasve dhe me largimin e tij nisi edhe eksodi i tyre, që po vijon edhe sot e kësaj dite me Julian Malon, Altin Hoxhën apo Elton Muçollarin. Sot, nga kontigjenti i futbollistëve shkodran, vetëm Arbër Shytani e Bekim Erkoçeviç janë në dispozicion të cilit do emër trajneri, pasi këtë e kanë deklaruar publikisht nëpër gazetat sportive.

TRADITA – Komuniteti lezhjan i futbollistëve ndjehet më i persekutuari, pasi këto vitet e militimit të Besëlidhjes nëpër kategoritë inferior, jo pak por 7, në përbërje ka pasur pak futbollistë lezhjanë, ku më i privilegjuari ka qenë Mirsad Gruda deri sa për arsye shëndetësore është larguar nga futbolli.  Shkolla lezhjane e futbollit, që për breza me radhë është përfaqësuar nga zinxhiri i moshave të Besëlidhjes ka nxjerrë mjaft futbollistë tepër cilësorë që kanë bërë histori edhe me fanellën Kuq e Zi kulmuar nga goleadori Bledar Kola, që i ka shënuar Gjermanisë në eliminatoret e botërorit 1998 tre gola në Grenada të Spanjës. Përveç futbollistëve historik lezhjan edhe sot futbollistë të shkollës lezhjane po militojnë suksesshëm në Superligë, mjafton treshja e ish mbrojtësve të Kukësit, Smajli, Malota dhe Dushku, duke u pasuar nga Henri Ndreka tek Laçi, apo Sadush Danaj tek Tërbuni e Ruben Danaj tek Kastrioti.

MOSHAT – Përveç Akademisë Besëlidhja që  përmbledh tërë zinxhirin e moshave duke filluar nga U-11 e përfunduar tek U-19-ta, ka disa vite që në Lezhë janë themeluar edhe 2 akademi private, ajo “Brian’s” e Gjergj Filipit që U-17-ta ka dy sezone që militon suksesshëm në Superligë dhe akademia “Porto” e themeluar nga Kristian Gjidoda. Për 3 vite jetë akademia “Porto”, e Kristian Gjidodës arriti që në fund të këtij sezoni të ngjitet në Superligë dy skuadrat zinxhirë të akademisë së tij, U-17-ën dhe U-19-ën, një arritje jashtëzakonisht kolosale. Duke u nisur nga kjo, sot Lezha ka më shumë se edhe Shkodra skuadra moshash në Superiore, ndaj duhet vlerësuar elementi që po stërvitet këtu, pasi cilësia po ja kalon ndoshta shumë fish traditës që përmendëm më lart. Por, këto 7 vite që Besëlidhja po militon nëpër kategoritë inferiore, pasi gjatë këtyre viteve një e ka konsumuar edhe në Kategorinë e Dytë, e dyta herë në historinë e sajë 85 vjeçare, nuk i ka preferuar futbollistët vendas. Gjatë këtyre viteve drejtuesit e skuadrës lezhjane të futbollit në plan të parë kanë pasur komunitetin serb të futbollistëve, ku kanë qenë me shumicë, nga 5-6, vetëm sezonin që u mbyllë ky numër u reduktua në dy, dhe këta të dy konkretisht Milan Gjorgjeviç dhe Kosta Bajiç do të mbeten pjesë e Besëlidhjes të paktën edhe për sezonin e ri 2015-2016.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.