Besëlidhja fitoi ngushtë me Vorën, ja kush ka vlerë për trajnerin e lezhjanëve

0

Të dielën Besëlidhja e fitoi sfidën e javës së 16-të, ku në stadiumin “Brian Filipi” të Lezhës mundi Vorën me rezultatin minimal 1-0. Me këto tri pikë skuadra lezhjane e konsolidon edhe më shumë pozicionin e saj në renditje, për të qenë në pesë skuadrat e para të cilat në fazën e tretë do të luftojnë për ngjitje në Kategorinë Superiore. I këtij mendimi është edhe trajneri Vladimir Gjoni, i cili këtë fitore e quan vazhdimësi pozitive për të ecur në ritmin e skuadrave të kreut.

“Goli ndaj Vorës erdhi në fundin e ndeshjes, madje me një penallti shumë të saktë. Ky ishte një tre pikësh me shumë vlera për Besëlidhjen për një vazhdimësi më të mirë, duke patur parasysh fazën e tretë që do të luhet me pikët e përgjysmuara. Ajo që nuk shkoi mirë për ne në këtë përballje ishin rastet e humbura, sepse me mundësitë që na u krijuan rezultati duhet të ishte më i thellë në favorin tonë”, kështu deklaroi tekniku i Besëlidhjes për SportEkspres.com.

Madje trajneri Gjoni thekson se në pjesën e mbetur të sezonit Besëlidhja do flasë me rezultate shumë më të mira. “Skuadra do flasë me rezultate shumë më të mira në pjesën e mbetur të këtij sezoni. Jemi të përqëndruar në synimin tonë dhe deri në fund do mundohemi të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje. Formula e fazës së tretë e le të hapur për të synuar gjithçka”.

Në dy ndeshjet e fazës së dytë Besëlidhja luan në transfertë me Ilirinë dhe pret në fushën e vet Korabin, dy sfida që duhet ti garantojnë renditjen në pesë skuadrat e para në Grupin A.

AGRON KAJA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.