Besëlidhja apo Tirana, kush ia vlejti?

1
Moment nga ndeshja çerekfinale Besëlidhja-Flamurtari

Opinion nga Saimir Demi

Kupa e Shqipërisë, më shumë se një kompeticion shumë i rëndësishëm, prej kohësh është kthyer në një bela për kampionatin. Arsyeja është se faza më e rëndësishme e saj zhvillohet në një kohë të papërshtatshme dhe këtu askush nuk të pengon të bësh pazare edhe në mes të ditës, për të arritur deri tek trofeu numër 2 për nga rëndësia. Megjithatë, nga e mërkura, më në fund janë përcaktuar edhe katër skuadrat gjysmëfinaliste që do të vazhdojnë më tej aktivitetin dhe nuk ndodhën vetëm të këqija, por edhe surpriza apo ndeshje të papërlyera. Besëlidhja zgjodhi për ta luajtur këtë kompeticion, çuditërisht duke besuar se mund t’i shkonte deri në fund dhe pothuajse ia ka arritur, megjithëse jo pa kosto. Skënderbeu bëri kampionët, madje të krijon përshtypjen se mjafton ta marrë seriozisht një gjë të tillë dhe në pjesën më të madhe të rasteve ia del më së miri. Por. në të njëjtën kohë, gjashtë herë kampionëve të vendit u duhet kërkuar edhe ndjesë, jo vetëm se u përfol paraprakisht për një tolerim të sigurt ndaj Laçit në kupë, por sepse u përbalt me shumë zell, për diçka që në Shqipëri është mëse e natyrshme, për diçka që mohohet me fanatizëm nga institucioni që drejton futbollin. Pra u tregua me gisht, për diçka që është gati gati e ligjshme… vetëm për trukime. Ndërsa skuadra që futbollin e ndershëm na e kanë përplasur në fytyrë si mjet identifikimi, po e aplikojnë njëlloj këtë sistem fitimprurës, madje pa asnjë ndrojtje, pa u kujdesur as të kamuflohen. Dhe më pas sfidojnë korçarët, duke u ribetuar për ndershmëri, për pastërti, për pafajësi ekstreme, si në ditën kur nëna i ka sjellë në jetë.  

Kush ia vlejti më shumë në këtë ndërmarrje që quhet Kupa e Shqipërisë, Besëlidhja apo Tirana? Lezhjanët janë ata që kanë sakrifikuar më shumë dhe ende është e vështirë ta kuptosh saktësisht mënyrën se si duan ta zgjidhin ekuacionin. Deri tani kanë bërë shumë mirë, por vetëm për të fituar statusin e “Hirushes”, ndërsa për të arritur në vërtetësinë e ekuacionit nevojiten edhe provat standarde. Në fakt, gara e vërtetë sezonale e Besëlidhjes ishte ajo për të tentuar Kategorinë Superiore, një nivel që i mungon Lezhës për gati një dekadë. Kështu, me një logjikë të thjeshtë, një laps i mprehur mirë duhej të përdorej pikërisht për këtë llogari. Aq më shumë që në garën e sivjetshme ishte e pranishme edhe Kamza, një skuadër e ndërtuar që në verë për Superiore dhe për më tepër, për të qenë më komode në synimin e saj, u largua ende pa nisur mirë nga aktiviteti që të dërgon në Europë. Madje ishte një lloj tërheqje vullnetare e skuadrës së Devollit, pasi nëse do ta vazhdonte kupën me ritmin e kampionatit, i kishte realisht shanset që të mërkurën të ishte në “Niko Dovana”, në vend të Vllaznisë. Nejse, lezhjanët zgjodhën variantin tjetër dhe megjithëse kanë eliminuar Partizanin e Flamurtarin, do t’u duhet ndoshta të vazhdojnë garën me kampionët e Skënderbeut, apo qoftë edhe me Tiranën, skuadrën që mund të vazhdojë të ushtrojë të drejtën që me padrejtësi të arrijë synimin për ta bërë të vetin trofeun. Ndryshe, 10 pikë më pak se Kamza dhe me një transfertë të shpejtë me “përbindëshat” e veriut, një ndalim i mundshëm në kupë do të ishte një naivitet, por që gjithsesi i dha bukuri kompeticionit.

Ndërsa tani shikoni se sa mëkate kanë bërë drejtuesit e Tiranës dhe futbollistët me eksperiencë që pranuan të bëhen pjesë, vetëm me një pakt në dukje rutinë me Kukësin, klubin që deri dje e trajtonte veten si simbol të “antikompromisit”. Fillimisht i cenuan dinjitetin skuadrës së tyre, atë që e ka pasur aset edhe në ditët më të vështira. Për më tepër që flitet për 24 herë kampionen e vendit dhe që Kupën e Shqipërisë e ka fituar plot 15 herë. Madje bardheblutë janë aq të hershëm për sa i përket festimeve të trofeve, saqë në sezonin 1938-39 kanë fituar edhe Kupën e Mbretit. Detyruan të luanin një ndeshje të paravendosur një grup futbollistësh të rinj e të talentuar. U frikësuan aq shumë nga Luftëtari, për të anashkaluar një garë natyrale në kampionat dhe e prenë shkurt rrugën për në Europë. Veç pikëve, që tashmë e kanë detyrim t’ua dhurojnë kuksianëve (3 ua dhanë paradhënie), do t’u duhet ta plotësojnë paktin duke dhënë maksimumin ndaj Partizanit dhe Skënderbeut, vetëm nëse i kërkojnë të njëjtin favor edhe presidentit Takaj, në rast të një përplasje të mundshme me kampionët, gjë që ka pak gjasa t’ua pranojë. Atëherë, kualifikimi i kujt vlejti më shumë të mërkurën? I Besëlidhjes, që sakrifikoi duke zgjedhur dinjitetin dhe në fund mund të humbasë gjithçka, apo i Tiranës, që zhvlerësoi emrin e vet të madh dhe në fund mund të humbasë po gjithçka?    

SHPËRNDAJE

1 KOMENT

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here