Besa ndryshon fytyrë, nesër provë serioze me Bylisin

Trajneri kavajas këmbëngul edhe për 3-4 përforcime të tjera cilësore

Fatmir Efica

Pas miqësores së parë luajtur ndaj Lushnjes në “Tropikal”, të mërkurën pasdite në Kavajë, Besa do të presë Bylisin. Një gjë të tillë e konfirmoi trajneri i Besës Bledar Sinella. Tekniku qartësoi se nga ndeshja e parë e vitit 2018, pavarësisht rezultatit, ka marrë disa sinjale pozitive. Besa do t’i vazhdojë të besojë fort te ai bosht futbollistësh cilësorë që do të dinë ta udhëheqin manovrën e skuadrës në gjysmën e dytë të këtij sezoni. Kryesisht pasi është plotësuar porta me ardhjen e Festim Mirakës dhe dy portierët e rinj të talentuar Bruno Puja dhe Ilir Dobjani, të njëjtin riformatim po merr edhe mesfusha. Në këtë repart, veçmas kapitenit me shumë përvojë Meglid Mihani, spikat afrimi nga Erzeni i durrsakut Alfred Deliallisi. Pritet të rikthehet shpejt pas rehabilitimit nga dëmtimi Mirel Duka. Forma e mirë që tregoi ndaj Lushnjes, gjirokastriti Brixhild Brahimaj, pa llogaritur edhe një grup lojtarësh të rinj që mund të shërbejnë po aq mirë në mesfushë, e bëjnë këtë repart shumë të konsoliduar.

MERKATO – Nëpërmjet kësaj miqësoreje të parë qëllimi ishte që për shumë futbollistë të ardhur në provë, kjo ndeshje të merrte dhe një karakter seleksionimi. Natyrisht pa u nxituar në marrjen e vendimeve në lidhje më afrimet, tani është momenti që të konkretizohen përpjekjet për të sjellë te Besa 3-4 futbollistë cilësorë qoftë nga tregu kosovar që ka qenë gjithnjë i parapëlqyer prej kavajasve apo dhe nga kampionati shqiptar.

PRESIDENTI – Ka munguar ta ndiqte ndeshjen e parë miqësore të Besës ndaj Lushnjes. Por presidenti i Besës Nexhat Bizhdili ka pasur një arsye tjetër jo sportive. Fundjavën e kaluar, ”Xhati”, siç e njohin dhe e thërrasin të gjithë, i është nënshtruar një operacioni në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë që e ka kryer me sukses të plotë. Gjatë këtyre ditëve, bashkë me përmirësimin e shëndetit, Bizhdili do të jetë si gjithnjë afër skuadrës së zemrës për të cilën në afro dy dekada ka dhënë kontribute madhore. Jo vetëm te “Xhati”, por dhe tërë opinioni futbolldashës kavajas e jo vetëm, bindja është e palëkundshme për rikthimin e Besës në nivelet më të mira.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *