Besa me tjetër “fytyrë”, Bylisi s’hap rrugë!

0

Afrimet e fundit kanë konsoliduar kavajasit në çdo repart, por ballshiotët mbeten “kockë e fortë”

Besa – Bylis 1-1

Shënues: Bajrami 77’ / Hoxhaj 42’

Besa: A. Kaloshi, Perja, E. Hoxha, Kullolli, Bushi, Mihani, Duka, Shabani, E. Kaloshi, Biba, Hoxha. (U aktivizuan edhe:  Rexhepaj, Bajrami, Lleshi, Ngjela, Oshafi). Trajner: A. Poçi.

Bylis: Xhorxheviç, Samnda, Shoshi, Hoxhaj, Buzi, Luis, Çukuka, Veseli, Zisi, Kolgega, Hysko. (U aktivizuan edhe: Dramolli, P. Fejzaj, Dhrami, Murataj). Trajner: B. Devolli.

Gjyqtarë: M. Soko, R. Mersinasi, K. Canaj (Durrës).

Besa dhe Bylisi kanë zhvilluar miqësoren e radhës dje në Kavajë, e cila ka përfunduar me rezultatin 1-1. Por, duhet theksuar, se me afrimet e fundit që kanë realizuar, kavajasit ishin shumë më të konsoliduar nga testi që zhvilluan afro një javë më parë me mallakastriotët. Verdhezinjtë treguan stabilitet në mesfushë, por patën probleme në pasin e fundit siç edhe e theksoi trajneri Artion Poçi. Në tribunë dje nuk munguan dy presidentët Bizhdili e Kapllanaj.

Ndeshja – Bylisi startoi ndeshjen me atë formacion që 10 ditë më parë kishte dalë fitues në Kavajë. Besa nga ana e saj, me mjaft ndryshime pas afrimeve të fundit ishte më solide dhe kërkuese, duke tentuar disa herë portën mike. Kavajasit me një prapavijë tashmë me përvojë, me në krye Hoxhën, mbyllën çdo shteg depërtimi veçmas për Zisin, lojtarin më të rrezikshëm mik. Po ashtu edhe për Hyskon. Mesfusha nën “dirigjimin” e Mihanit kishte tjetër siguri e qetësi. Falë kësaj konkurrence edhe rastet e pastra në të dyja portat nuk mungojnë. Vendasit me Hoxhën të mbështetur nga Kaloshi kërkojnë disa herë të rrezikojnë, por mungon pasimi i fundit. Mbrojtja mike qëndron shumë lart, ndërsa Besa është e pafuqishme të shfrytëzojë këto hapësira, pasi mungon asisti i fundit. Janë disa goditje të Kaloshit e Hoxhës për Besën dhe Zisit e Hyskajt për miqtë. Kur mendohej se do mbyllej kjo pjesë, mbrojtësi mik Hoxhaj shënon pas ekzekutimit të një goditje dënimi në ballore me një top që devijohet nga një lojtar kavajas. Miqtë mbyllin pjesën e parë në avantazh.

PJESA E DYTË – Si edhe ndodh në test të tilla, trajnerët preferojnë zëvendësime. Kështu ndodhi edhe dje. Besa hidhet në sulm. Trajneri Poçi sposton Denis Bibën si mbrojtës të majtë pas dëmtimit të Bushit dhe tashmë miqtë e kanë thuajse “të ndaluar” të hyjnë në zonë. Loja sulmuese e vendasve kërkon të finalizohet disa herë me Mihanin, Kaloshin e Hoxhën, por herë pret portieri Dramolli e herë janë të pafat vendasit në finalizim. Për të ardhur në minutën e 77-të, kur i sapoardhuri dje në provë te Besa nga Tetova, Hasan Bajrami shfrytëzon një korridor ideal të Kaloshit dhe i vetëm shënon duke barazuar shifrat. Minutat e mbetura i takojnë ndërrimeve të shumta tek të dy ekipet dhe nuk ka më raste shënimi. Mbyllet në paqe kjo miqësore, me një Besë dukshëm në rritje e një Bylis konstant në lojën e tij…

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image