Besa kthehet te fitorja, por është vetëm miqësore

0

Megjithë shiun që nuk ka pushuar për asnjë minutë, miqësorja e Besës dje me KEK të Obiliqit ka qenë një ndeshje e bukur, që u ka shërbyer mjaft mirë të dyja skuadrave në vigjilje të takimeve të radhës në kampionatet respektive. Mysafirët nga Kosova ndodhen momentalisht në vendin e parë në ligën e Parë të Kosovës. Te kjo skuadër ra në sy portieri që luan me Shpresën U-21 të Kosovës Liridon Hajdini dhe qendërmbrojtësi Liridon Kukaj i cili ka luajtur në Superligën e Shqipërisë disa vite më parë edhe te Gramozi edhe te Vllaznia, apo dhe qendërsulmuesi Visar Sahiti që kreu disa goditje të rrezikshme në portën e Besës.

Për sa i takon rrjedhës së ndeshjes, duhet thënë se Besa e ka kontrolluar më mirë lojën. Ndërsa KEK-u, në 10 minutat e fundit ka rrezikuar disa herë rrezikshëm e madje ka goditur edhe një shtyllë në 82’ me anë të Ademit. Para kryesfidës së të dielës së ardhshme ndaj Kastriotit në Kavajë, për Besën duhet thënë se kjo miqësore ka qenë një “nxehje” e mirë. Aq më tepër që falë lojës më të mirë se sa miqtë nga Obiliqi, Besa arriti të fitojë pastër me KEK-n. Te kavajasit edhe pse ranë në sy disa mungesa si e Mirel Dukës, Veton Shabanit e portierit Marat Rexhepaj që janë momentalisht të dëmtuar, Ervis Kajës që ka edhe një ndeshje skualifikim e nuk do të mund të aktivizohet ndaj Kastriotit, apo kapitenit Meglid Mihani që në një ndeshje të këtillë është preferuar të lihet pushim nga stafi teknik, pa llogaritur faktin se në 45’ e dytë janë kryer disa zëvendësime, siç ngjet rëndom në takime të tilla, kavajasit kanë dominuar dhe kanë shpërdoruar disa raste të tjera veç dy golave të realizuar nga një në secilën pjesë të lojës.

Takimin e kanë ndjekur edhe dy presidentët e skuadrave. Duhet theksuar se KEK Obiliq është një ekip me traditë në futbollin Kosovar, themeluar në vitin 1928. Ndërsa ka arritur të shpallet në sezonin 2000-01 fituese e Kupës në Kosovë. Këtë sezon aktual skuadra prej pozitave komode në krye të renditjes pretendon rikthimin pas një mungese prej katër sezonesh në Superioren e Kosovës.

BESA – KEK OBILIQ 2-0

Shënues: M. Morina 31’, A. Dervishi 49’

BESA: A. Kaloshi, Perja, Er. Hoxha, Kullolli, Biba, Ed. Hoxha, E. Kaloshi, Isufi, Cara, Dervishi, Morina. (U aktivizuan: Ramilli, Oshafi, Çelhaka,  Brahimaj, Ngjela, Bushi). Trajner:  B. Sinella.

KEK: Hajdini, Pira, Hoti, Abazi, Kukaj, Bruqi, Hasani, Dushi, Ajzeraj, Sahiti, Qerimi. (U aktivizuan: Ademi, Nimani, Vitija, Krasniqi, Gashi). Trajner: S. Pajaziti.

GJYQTARË: Xh. Dimni, B. Resuli, D. Kollçaku (Kavajë)

Fatmir Efica

Pas ndeshjes…

Bledar Sinella, trajneri i Besës: “Respektuam sportivisht mysafirët nga Obiliqi I Kosovës. Ishte një ndeshje që i realizoi në atë masë që dëshironim pritshmëritë tona duke e parapërgatitur mirë takimin e javës së ardhshme në Kavajë me Kastriotin. Te disa lojtarë, sidomos në mbrojtje, pashë rritje në lojën e tyre dhe ky është një sinjal i mirë për takimet e tjera në vijim”.

Sadat Pajaziti, trajneri i KEK: “Faleminderit për pritjen Besës së Kavajës. Na shërbeu kjo ndeshje. Pozita që ne mbajmë si kryesues në ligën e parë të Kosovës vlente për ne të luanim me ekip të me emër e tradita si Besa. Në fillim të lojës e kishim pak të vështirë ambientimin me fushën sintetike. Më pas ekipi e përmirësoi mirë lojën e nga fundi edhe ne duhet të kishim shënuar”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image