Besa – Kastrioti, dhe… “këpuca e Xhatit”

0

Fatmir Efica

Përtej këtij fakti që nuk ndodh aq shpesh, përkundrazi rrallë, shumë rrallë, të cituar në nëntitullin e këtij shkrimi, në çiftin Besa-Kastrioti para disa vitesh në Kavajë, shënohej edhe një incident që është quajtur ndryshe “këpuca e Xhatit”. Ka qenë jashtëzakonisht e thellë indinjata e ish-presidentit të Besës Nexhat Bizhdili në atë takim të barazuar 0-0 në Kavajë më 18.11.2006. Çfarë ndodhi konkretisht?! Kur sapo skuadrat në mbyllje të 45’ të para po i drejtoheshin tunelit drejt dhomave të zhveshjes, kreu i klubit kavajas hodhi drejt arbitrit Bardhyl Pashaj këpucën e tij, që për fatin e mirë nuk i ka ra në kokë gjyqtarit. Çudira vërtetë intriguese duken tani që kthen sado pak kokën pas, dhe sheh se në sfidat Besa – Kastrioti, si në Kavajë ashtu edhe në Krujë, për çfarëdo lloj impenjimi të kampionatit apo Kupës së Shqipërisë, takimet kanë vërtetë kaq shumë histori në mes. Pa harruar një tjetër ndeshje, më 08.05.1996, që i përket javës së fundit të sezonit, kur kavajasit nuk luajtën në Krujë, me arsyen që vërtetë duket qesharake: “iu prish autobusi”.

E TASHMJA – Aktualiteti duket mjaft “gri”, si për Besën, ashtu dhe për Kastriotin. Pas rënies nga Kategoria Superiore, qartazi dallohet, jo vetëm nga gjendja në renditje, por edhe faktorë të tjerë, se të dyja ekipet janë duke i bërë ballë me vështirësi “presionit” që bie mbi to si ish-skuadra elite. Për Besën luajtja në të parën ka patur gjithnjë peshë “sfilitëse”, paçka se për herë të parë u ndodh të mos ngjiten brenda një sezoni, siç bënin më parë. Besa për fat të keq qëndron për të tretin vit me radhë në Kategorinë e parë. Diferenca që ndan skuadrat është fare e vogël, për të mos thënë e papërfillshme. Besa ka 18 pikë, ndërsa Kastrioti 19, ndërkohë nesër mund të ndodhë “rokada” e vendeve. Në fazën e parë krutanët fituan pastër 2-0, me një 11-metërsh që e realizuan me E. Koreshi në 31’, ndërsa Xh. Çutra në 84’ vuloste triumfin. Në të 73’ Lila mund ta thellonte rezultatin nëse shënonte nga pika e bardhë e penalltisë. Nesër në Kavajë, përtej historive të së shkuarës, momenti e kërkon që të dyja skuadrat të na dhurojnë një ndeshje të bukur, ku në fund skuadrat të pranojnë rezultatin e fushës së blertë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here