Besa, ka “luftë” për portën

Rikthimi i besimit për durrsakun Marat Rexhepaj dhe dy portierët e rinj Bruno Puja dhe Ariol Kaloshi i ardhur së fundmi nga Tomori i Beratit, i japin garanci portës kavajase

Fatmir Efica.

Brenda të parës seancë stërvitje kryer të premten më 4 gusht, Besa ka kompletuar stafin e saj teknik. Dhe thuajse me “shpejtësinë e erës”, ka “mbushur” edhe portën e saj, me tre portierët që do të ketë përgjatë sezonit të ri. Marat Rexhepaj i cili ishte pjesë e skuadrës edhe sezonin e shkuar, por që mbeti paksa në “hije” me ardhjen e Elidon Selacit në pjesën e dytë të garës. Duket se, tani rolin e titullarit do ta mbajë sërish durrsaku Rexhepaj, i cili në 14 ndeshje që luajti në sezonin e fundit me Besën pësoi 18 gola. Nr. 2 në portë do të jetë kavajasi Bruno Puja. 17-vjeçari i talentuar ka qenë pjesë e Besës me të rriturit ku është stërvitur, por pa u aktivizuar në asnjë takim, është përdorur si portier i skuadrës U-19 dhe ka qenë madje protagonist duke shpalosur denjësisht në tri vitet e fundit edhe tek ekipi U-17 parvjet edhe te skuadra U-19 gjatë sezonit të fundit, talentin e tij. Dy vite më parë, Puja ka qenë pjesë e Kombëtares U-17 që drejtohet nga boshnjaku Xhemal Mustedangiç, duke luajtur në disa ndeshje të rëndësishme për kualifikueset e Evropianit që u zhvilluan në Uells.
KALOSHI – Portieri i tretë i Besës është Ariol Kaloshi që vjen nga Tomori i Beratit. Lushnjari është vëllai i Mikel Kaloshit, ish-portierit të parë të Tomorit në sezonin e fundit që tani ka shkuar te Liria e Prizrenit në Kosovë. Kaloshi “junior” (datëlindja 23.12.1999) u bë pjesë e Tomorit vjet, pas largimit të portierit beratas Franc Spahiu në ekipin e Skraparit. Arjoli 18-vjeçar luajti tre ndeshje të plota në fazën e tretë të kampionatit, konkretisht në javët 20, 25 e 26 dhe pësoi 7 gola.
TRAJNERI – Është vërtetë një fat i madh për portierët e Besës që trajner të tyre specifik kanë një specialist mjaft të përkushtuar si Taulant Guma. Ish-portieri i talentuar i Besës, Sopotit, Luzi 2008 dhe i disa ekipeve të tjera në karrierën e tij, kur ishte në mes të shtyllave të portës, pati arritur të luante edhe me Kombëtaret e grupmoshave. Guma ka plot tre sezone radhazi që punon si trajner portierësh te Besa. Duke folur për tre portierët aktualë, Guma posaçërisht për “Sport Ekspres” tha: “Na duhet shumë punë që të kemi një grup portierësh të aftë, që ta ndihmojnë skuadrën të ketë siguri në prapavijën e saj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *