Berisha, rinovimi i radhës te kampionët

0

Pritet që brenda këtyre ditëve të kemi një tjetër rinovim. Më shumë se kurrë flitet për mesfushorin e krahut të majtë që ka shkëlqyer këtë sezon me Skënderbeun

 

Leonard Trebicka

 

Pas Leonit Abazit dhe Bajram Jashanicës, te kampionët po përflitet shumë për rinovimin e radhës. Bëhet fjalë për një tjetër futbollist kosovar siç është Bernard Berisha, i cili po lakohet shumë që do të jetë rinovimi i radhës te bardhekuqtë. Madje zërat flasin shumë që nga ora në orë Berisha do të jetë në “Tropikal” për t’u takuar me Takajn dhe më pas të hedhë të zezën mbi të bardhë. Qysh në momentin e përfundimit të sezonit Bernard Berisha ndodhet në Lucern të Zvicrës me të fejuarën e tij, ndërkohë që pushimet edhe për të janë drejt fundit. Sigurisht që Berisha është një tjetër emër që pëlqehet nga trajneri Mirel Josa dhe padiskutim që e ka në listën e tij të futbollistëve për sezonin e ri. Mesfushori i krahut të majtë te kampionët pritet që të rinovojë edhe ai një kontratë të paktën 2-vjeçare, ashtu si edhe dy patriotët e tij, Abazi dhe Jashanica.

Berisha – Gjatë sezonit që përfundoi, Bernard Berisha u aktivizua gjithsej 2406 minuta me fanellën bardhëkuqe në premierën e tij me Skënderbeun. Duke qenë një lojtar vërtet luftarak në kaq minuta ka marrë 9 kartonë të verdhë dhe një të kuq, ndërkohë që shënoi gjithsej katër gola me Skënderbeun. Një paraqitje më shumë se e shkëlqyer për mesfushorin dhe jo më kot ofertat për të kanë qenë të shumta, madje edhe jashtë kufijve, sapo mësuan që Berisha përfundoi kontratën me Skënderbeun. Madje ka pasur edhe zëra që Berisha mund të ikte në Zvicër, por kanë qenë të pavërteta. Superkupa dhe titulli kampion i këtij viti, janë dy trofetë e parë të mesfushorit kosovar, duke u shprehur më shumë se i kënaqur që ndodhet në Korçë. As Josa nuk ka ndërmend ta lëshojë këtë “xhevahir” që në fakt shkëlqimin më të madh në karrierën e tij sportive e ka pikërisht me këtë fanellë, në vetëm një sezon me Skënderbeun.

Abazi-Jashanica – Kosovarët e Skënderbeut janë kthyer në një dashuri më vete për Skënderbeun. Në sezonin që sapo përfundoi përveç Berishës, ishin edhe Abazi e Jashanica pjesë e kampionëve, dy lojtarë vërtet cilësorë dhe që dy ditë më parë edhe atë hodhën të zezën mbi të bardhë. Padiskutim që pas firmave 2-vjeçare me të drejtë sërish të një viti tjetër rinovimi, të dy mbrojtësit janë shprehur të kënaqur që bënë këtë zgjedhje dhe kanë premtuar se do të vijojnë të japin më të mirën te Skënderbeut në sezonet e ardhshme.

Latifi – Kosovari i katërt te Skënderbeu dhe i fundit është Liridon Latifi, futbollisti që sezonin e fundit u shpall talenti i dytë më i mirë në Superligën shqiptare. Ndryshe nga të tjerët, Liridon Latifi erdhi te Skënderbeu në janar të këtij viti dhe firmosi një kontratë 2-vjeçare me skuadrën që sapo u shpall kampion. Pra për Latifin kanë kaluar vetëm 6 muajt e parë dhe ka edhe një vit e gjysmë kontratë me Skënderbeun, ndërkohë që edhe sulmuesi në fjalë është kthyer në një lojtar të rëndësishëm te Skënderbeu.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.