Berisha: Italia shkon në Botëror, Napoli mund të befasojë Juven

Etrit Berisha nuk ia doli ta ndalte Italinë, por tashmë është një lojtar kyç për Shqipërinë dhe Atalantën, duke i treguar në një farë mënyre Lacios se gaboi që nuk i besoi. Aty e pasoi Thomas Strakosha, me të cilin vazhdon duelin edhe në Kombëtare, por është një duel mes miqsh dhe eksperienca e mosha favorizojnë Etritin, i cili në vitin 2017 ka qenë perfekt, në klub e kombëtare.

Në një intervistë për Corriere dello Sport, portieri kuqezi shpjegon arsyet e momentit të tij të shkëlqyer: “Meritë e Atalantës, tani jam shumë i qetë dhe mendoj vetëm të punoj. Pakkush e mendonte sezonin e shkuar se mund të renditeshim të katërtët dhe besoj se kemi bërë diçka të jashtëzakonshme, por jemi ende të aftë të habitim. Fillimi i kampionatit ka qenë pozitiv dhe në Europë e kemi nisur mbarë, me 4 pikë në dy ndeshje. Vështirë se mund të bëhej më mirë se aq. Sekreti? Puna. Nuk ishim mësuar të luanim çdo tre ditë, por jemi përshtatur me shpejtësi falë trajnerit Gasperini, një trajner të të nxit të japësh gjithçka, gjithmonë. Me të nuk e ul dot ritmin, por ai të lejon të kapësh maksimumin sepse kujdeset për çdo detaj. I pëlqen futbolli ofensiv dhe dëshiron që skuadra e tij të jetë protagoniste. Është vërtet i zoti. Fitorja 3-0 me Evertonin? Ishte një fitore që na bëri të kuptojmë se jemi në rrugën e duhur, se mund të luajmë si të barabartë edhe kundër kundërshtarësh si Evertoni e Lioni. Besoj se i kemi kartat në rregull për të kaluar fazën e grupeve. Ëndrra e të gjithëve është të ngremë trofeun e Europa League (qesh), por për të qenë realistë duhet t’i kalojmë ndeshjet një nga një. Detyrimi ynë është të qëndrojmë me këmbë në tokë, edhe pse e pranoj që arritja e disa rezultateve të ndihmon shumë: entuziazmi tani është i madh, si mes nesh, ashtu edhe te populli i mrekullueshëm bergamask”.

Në Itali është folur gjatë për penalltinë që Berisha i priti Dibalas: “Për të qenë i sinqertë, nuk kam bërë asgjë të veçantë në krahasim me të shkuarën, kur kam pritur edhe penallti të tjera. Dibala është fenomen, por e kuptova si do të gjuante. Më shumë se për veten, jam i kënaqur për skuadrën, sepse morëm një pikë të rëndësishëm dhe mëse të merituar, për nga mënyra si luajtëm. Unë hero kombëtar? E pranoj që në Shqipëri Seria A ndiqet shumë dhe që kam shumë miq tifozë të Juventusit, të Milanit, Interit dhe gjithashtu të Napolit. Sidomos tifozët e Napolit më kanë falënderuar, sepse kanë marrë kreun e renditjes. Ishin shumë të kënaqur”.  Meqë jemi te Napoli, Berisha mendon se klubi jugor është gati për gjëra të mëdha: “Po, sepse ka lojtarë të shkëlqyer dhe luan një futboll të bukur, por Juventusi për mua mbetet favorit. Ne e ndalëm, por më bëri përshtypje të shkëlqyer: bardhezinjtë vrapojnë gjithnjë me 1000 në orë, të gjithë e dinë çfarë duhet të bëjnë dhe kanë mentalitet fitues”.

Juventusi të shtunën do të ndeshet pikërisht me Lacion, ku luante më parë Berisha: “Në Torino është e vështirë për të gjithë, por Lacio ka konfirmuar edhe në këta dy muaj të parë të sezonit se ka një skuadër kreu dhe mund të vendosë në vështirësi çdo rival. Nga vitet në Romë ruaj një kujtim të shkëlqyer, sepse kam mësuar shumë dhe ia kam kaluar shumë mirë. U largova sepse doja më shumë mundësi për të luajtur dhe këtu në Bergamo jam i lumtur”.

Jo vetëm Berisha, sepse Atalanta tashmë ka disa lojtarë në kombëtare, duke nisur nga mbrojtësi i ri Spinacola: “Jam i kënaqur për Leonardon. Për Atalantën është një lojtar i rëndësishëm dhe është pozitiv fakti që qëndroi. E kam kuptuar pse dëshironte të shkonte te Juventusi: është e vështirë të refuzosh disa shanse të tilla, por për mua është diçka e bukur që e kemi ende me ne. Papu Gomez? E meriton të shkojë në Botëror, sepse është një futbollist dhe njeri i madh. Në dhomat e zhveshjes është gjithnjë i gatshëm të bëjë shaka dhe të ndihmojë këdo që ka nevojë, por mbi të gjitha bën diferencën në fushë. Italia? Sipas meje do të shkojë në Botëror. Ventura ka shumë lojtarë me vlerë dhe në play-off nuk do të gabojnë. Në futboll diferencën e bëjnë detajet e veçanta dhe nëse ke lojtarë si Bufon, Kielini, Barzali, De Rosi dhe të tjerët, nsiesh në avantazh”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *