Bergomi: Ja çdo të thotë të jesh kapiten, Ikardi duhet të kuptojë mesazhin e Interit!

Interi vendosi t’i hiqte shiritin e kapitenit Mauro Ikardit për t’ia kaluar atë Samir Handanoviçit. Veprim i fortë i klubit që ka dashur të japë mesazhin se asnjë individ nuk vjen përpara ekipit dhe klubit.

Të shumta kanë qenë opinionet e shprehura rreth kësaj teme, ndërsa nuk ka munguar as ai i Xhuzepe Bergomit. Ish-mbrojtësi luajti për 20 sezone me ekipin zikaltër, duke mbajtur për shumë kohë dhe shiritin e kapitenit.

Bergomi është dakord me vendimin e klubit dhe nis e shpjegon me imtësi veprimin e ndërmarrë të Interit. Pak e dinë më mirë se ai se çfarë do të thotë të jesh kapiten dhe Ikardi nuk duhet të mërzitët, por të marrë mesazhin që ka dashur të transmetojë klubi i Interit.

KAPITENI – “Të jesh kapiten nuk do të thotë të hysh i pari në fushën e blertë dhe të shkëmbesh stemat e klubit me kapitenin kundërshtar. Por do të thotë që të japësh shembull, çdo ditë, brenda dhe jashtë fushës, dhe të jesh i vëmendshëm ndaj detajeve të vogla, që më vonë mund të bëjnë diferencën. Do të thotë dhe që të shfaqësh fytyrën tënde kur gjërat nuk shkojnë në mënyrën e duhur. Do të thotë që të ndihmosh të huajt të përshtaten dhe të kalojnë çdo lloj vështirësie të gjuhës dhe kulturës së re. Është një ndjenjë përkatësie që të duhet ta transmetosh dhe që e kërkon nga e gjithë skuadra.”

IKARDI – “Klubi kreu një gjest shumë të fortë duke i hequr shiritin Ikardit, por unë e gjej veten në fjalët e Spaletit. Është e vështirë të marrësh vendime të tilla, por duhej dhënë një sinjal dhe duhej mbrojtur ekipi dhe klubi. Shkurtimisht, është si në rastin e një babai, të cilit i duhet të dënojë të birin. Ai e bën për të mirën e tij, për t’i dhënë të kuptojë se ka gabuar dhe për ta ndihmuar të rritet. Sipas mendimit tim Mauro duhet t’i kuptojë këto mesazhe.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *