“Bëra gjithçka ta arrija si lojtar por pa sukses”, Bogdani rrëfen pengun e karrierës dhe ngre në qiell Kumbullën

Erjon Bogdani është një emër i njohur pët të gjithë shqiptarët, pasi me golat e tij e ka vendosur emrin në krye të listës së golashënuesëve të historisë së kombëtares sonë. Pothuajse gjithë karrierën e tij e ka zhvilluat në Itali, ku ka ndërtuar edhe jetën e tij. Ish-sulmuesi shqiptar, i cili tani ka nisur të ushtrojë rolin e trajnerit, ka dhënë një intervistë për “Tutto Mercato Web”. Ndër të tjera ka kujtuar suksesin e jashtëzakonshëm të kuqezinjve nën udhëheqjen e De Biasit, në stafin e të cilit bënte pjesë edhe vetë ai, megjithëse për një sukses të tillë bëri çdo gjë si lojtar që ta arrinte. Gjithashtu Bogdani nuk kishte si të mos vlerësonte atë që i ka mahnitur të gjithë këtë sezon në Serie A, Marash Kumbullën, që e ka pasur nën urdhërat e tij në periudhën kur drejtonte U-19 e Shqipërisë. Sipas Bogut, mbrojtësi shqiptar mund të luajë në nivelet më të larta me fanellën e klubeve më të mira të Europës.

“Shpresojmë që t’i përsërisim ato vite. Kampionati Europian që përjetova me Kombëtaren ishte i mrekullueshëm. Unë bera gjithçka të shkoja atje si lojtar por nuk pata sukses. Më pas e arritëm këtë sepse De Biasi me Tramezzanin dhe të tjerët ishin shumë të mirë. Do të mbetet në histori, por shpresoj të ndodhë sërish.

Marash Kumbulla? E kam stërvitur te Shqipëria U-19. Ai është një lojtar i rëndësishëm. Ishte shumë i mirë në djegien e etapave. Nuk e prisja në atë mënyrë, pasi po flasim për një lojtar të vitit 2000 që po shfaqet dhe po luan si të ishte veteran. Kumbulla di të parashikojë mjaft mirë. Është i gjatë dhe i fuqishëm, mund të bëjë mirë në çdo ekip. Në fakt po lexoj se shumë skuadra të mëdha po e ndjekin, madje edhe në Europë. Ai ka pësuar një rritje të madhe, mund të luajë në nivele të larta”, është shprehur Erjon Bogdani./Sport Ekspres/