Beqiri zëvendëson Duron: Fokusi te Lushnja, jo te dënimi i Skënderbeut

0

Zëvendëstrajneri i Flamurtari ka dalë dje në konferencë për shtyp dhe ka folur për gjendjen e vlonjatëve, objektivin ndaj verdhejeshilëve dhe situatën në ekip

Elton Nika

Flamurtari duhet të bëjë detyrën sot ndaj Lushnjes dhe të fitojë. Në mungesë të trajnerit Shpëtim Duro, i dënuar nga Komisioni i Disiplinës, vlonjatët do të drejtohen nga dy ndihmësit e tij, Jeton Beqiri dhe Petraq Bifsha. Beqiri rikthehet në pankinë pas një pezullimi të gjatë dhe dje ka folur para mediave për ndeshjen me Lushnjen. Ai e sheh Flamurtarin në rrugën e duhur dhe thekson se kundërshtari i radhës duhet vlerësuar maksimalisht. “Jemi brenda objektivave, si në Kupë, ashtu edhe në kampionat. Nëse të tjerët e cilësojnë një ndeshje të lehtë, unë do të them se nuk është aspak kështu. Kjo ndeshje ka marrë gjithë vlerësimin dhe përqendrimin tonë. Kemi kërkuar vëmendjen maksimale të lojtarëve për këtë përballje, që e cilësojmë shumë të rëndësishme”, tha fillimisht Beqiri, që kur e pyet në lidhje me dënimin e Duros, apo tijin më parë, nuk ka dëshirë të polemizojë. Më tej ai tregon edhe se si është situata te Flamurtari para ndeshjes me Lushnjën. Muarem ka pësuar një goditje në kofshë dhe nuk do të jetë gati për këtë ndeshje, kurse për Tunkara do të ketë një tjetër kontroll dhe do të vendoset para ndeshjes rreth aktivizimit të tij. Mungon edhe Zhufo, i cili është në periudhë riaftësimi dhe ka nisur përgatitjet individuale”, shtoi ndihmësi i Duros në stafin teknik të Flamurtari.

DËNIMI I SKËNDERBEUT

Në Vlorë nuk e kanë mendjen te dënimi i mundshëm i Skënderbeut, teksa Beqiri thekson se duhet të shohin ndeshjet e tyre: Nuk jemi aspak të fokusuar dhe nuk i mendojmë dënimet e skuadrave të tjera. Mendojmë vetëm për ndeshjet tona dhe marrjen e pikëve në vazhdimësi, për vetë arsyen se çdo pikë në kampionatin shqiptar është mjaft e rëndësishme. Kampionati këtu është mjaft i balancuar dhe çdo ndeshje është e rëndësishme. Kemi për qëllim të respektojmë çdo kundërshtar, në çdo ndeshje”.

FORMACIONI DHE KALENDARI

Të gjithën lojtarët që janë tek Flamurtari janë kualitativ dhe kanë vendin e tyre. Por në këtë rast nuk mund të mendohet për rotacion. Ndoshta mund të ketë ndonjë lëvizje në formacion, por mendoj se i kemi të gjithë lojtarët gati për të luajtur”, deklaron Beqiri kur e pyet se si do të luajë Flamurtari ndaj Lushnjës. Më tej ai komenton edhe faktin që viti nisi me një kalendar të vështirë: Realisht ne kemi pasur pesë përballje shumë të forta, që nuk do t’i dëshironim menjëherë pas ardhjes nga faza përgatitore, kjo për shkak se pas kësaj periudhe lojtarët janë të ngarkuar. Patëm një kalendar të fortë, tre ndeshjen me Partizanin, me Kukësin dhe Skënderbeun, madje dy ndeshje i kemi zhvilluar në fusha shumë të rënduara. Jo vetëm Flamurtari, por çdo skuadër nuk është në maksimum kur vjen nga faza përgatitore. Tani ne i kaluam ato, por duhet të vijojmë të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të shohim për të marrë më të mirën në çdo ndeshje”.

MBËSHTETJA E TIFOZËVE

Beqiri vlerëson mbështetjen që ekipi ka pasur nga tifozët: “Realisht publiku vlonjat na ka mbështetur në çdo ndeshje. Përkrahja e tyre është mjaft e rëndësishme, pasi e bën skuadrën të ndjehet më e fortë dhe të japë më shumë, ndaj unë i falënderoj dhe vlerësoj për mbështetjen, që nuk do të mungojë edhe të dielën (sot)”.

AFRIMET

Në fund zëvendëstrajneri Beqiri ka folur edhe për lojtarët e afuar në merkato:Ata janë futbollistë me vlera. Sa i përket afrimeve, më duhet të them se kemi qenë disi të pafat, referuar dëmtimeve të Nedeljkoviç pak javë më parë, por edhe Muarem e Tunkara. Megjithatë Flamurtari i ka cilësitë dhe lojtarët që luajnë janë gati. Ka ende shumë ndeshje, ndaj them se edhe ata lojtarë do të tregojnë më së miri cilësitë e tyre. Realisht nuk është e lehtë për asnjë lojtar që vjen në merkaton e dimrit të përballet në pesë takimet e para me ndeshje shumë të forta. Gjithsesi ata do të dinë të japin më të mirën”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.