Beqiri: Mbijetesa e para, besoj edhe për vendin e katërt

0

Gaspër Marku
Situata në kampin kuqeblu, pas humbjes në Laç, nuk ka qenë aspak e mirë, por duket se gjithçka është lënë pas dhe të gjithë janë përqendruar te ndeshja e radhës në Durrës. Madje, ka optimizëm për ta kaluar me sukses këtë transfertë. Kështu siç erdhën ngjarjet, për Vllazninë përparësi ka marrja e një pike përballë Teutës në “Niko Dovana”, pikë që siguron qëndrimin. Pastaj mund të mendohet për ndeshjen e fundit me Tiranën, duke shpresuar në një hap fals të rivalëve për të synuar vendin e katërt. I këtij mendimi është edhe ish-futbollisti dhe ish-kapiteni i Vllaznisë, Elvin Beqiri, i cili ka besim jo vetëm për mbijetesën, por edhe për vendin e katërt.
Beqiri, një situatë disi e paparashikuar kjo që e përfshiu Vllazninë në javët e fundit. Si e shikoni gjendjen e saj?
– Në fakt, situata u komplikua, por gjithsesi janë edhe dy javë për t’u luajtur dhe shpresojmë, që Vllaznia të bëjë më të mirën, duke u kthyer në lojërat e mira që ka bërë më parë, veçanërisht në fazën e tretë. Shpresoj që ekipi të reagojë, sepse i tillë është kampionati, i tillë është futbolli, mund të kesh edhe oscilacione. Shpresojmë të marrim më të mirën dhe të sigurojmë në radhë të parë mbijetesën, por pse jo edhe vendin e katërt, që është një mundësi krejt reale.
– Sipas jush, çfarë ndikoi që kjo Vllazni potente, afër vendit të katërt, tani është në pozita jo pak të vështira?
– Është e vërtetë, por ka pasur konkurrencë të fortë në kampionat, me ekipe që pretendojnë titullin dhe ata që luftojnë për të mos dalë nga kategoria. Mendoj se është meritë e këtyre skuadrave, që luftojnë kaq fort, duke e bërë kampionatin më interesant, më të bukur për sportdashësit. Gjithsesi, meraku ynë është te Vllaznia, që mendoj se ka bërë një paraqitje të mirë, përveç këtyre ndeshjeve të fundit. Për mendimin tim, është një kampionat pozitiv për skuadrën tonë dhe kam besim të plotë se ekipi e ka brumin, e ka stafin për të reaguar dhe për të dalë faqebardhë.
– Të shtunën përballë Teutës në “Niko Dovana” dhe më pas në “Loro Boriçi” me Tiranën. Si i parashikoni këto dy ndeshje?
– Janë dy ndeshje delikate, me dy ekipe të forta, pasi edhe ato kanë objektivat e tyre për të mos dalë nga kategoria. Mendoj se në Durrës ekipi do të dijë të reagojë pozitivisht. Siç e përmenda më sipër, duke u bazuar te grupi që ka, te eksperienca e lojtarëve që ka dhe te stafi i përgatitur, shpresojmë shumë të marrim minimumi një barazim, për të siguruar mbijetesën. Pastaj, ndeshja e dytë kuptohet është edhe ajo e vështirë, por më mirë të mendojmë për Teutën. Në Durrës luhet një ndeshje shumë e rëndësishme për Vllazninë.
– Konkretisht, ku e shikoni Vllazninë në fund të kampionatit?
– Nëse ekipi do të dijë të reagojë, pra nëse lojtarët do të japin maksimumin e tyre në fushë, mendimi im është se në fund të kampionatit do të pozicionohet në vend të 4-t. Kryesorja është që lojtarët të shprehen në fushë, sepse kjo gjë u ka munguar këto javët e fundit. Pra, lojtarët të japin maksimumin, pastaj futbolli është i tillë dhe të ofron të gjitha rezultatet. E ritheksoj se ekipi duhet të shprehet lirshëm në fushë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here