Vazhdon të krijojë debate të mëdha çështja Benatia: mbrojtësi i Juventusit po fliste në lidhje direkte me televizionin shtetëror italian pas derbit torinez, kur dëgjoi në kufje një ofendim, “maroken m..i”.
Benatia ndaloi së foluri dhe më pas pyeti: “Kush foli? Dikush më ofendoi”.
RAI ndërpreu lidhjen duke nxjerrë si justifikim problemet teknike, ndërsa më pas doli me një komunikatë për shtyp, duke mohuar prerë që fraza të jetë thënë nga ndonjë punonjës i RAI-t.
Juventusi ka kërkuar shpjegime me një komunikatë të vetën, duke mohuar çdo mundësi që të ketë pasur interferenca në audio nga Juventus Stadium, siç është aluduar.
Vetë Benatia ka postuar në Instagram qëndrimin e tij në lidhje me këtë histori të shëmtuar: “Konfirmoj fjalët që dëgjova në kufje, edhe dy persona të tjerë dëgjuan gjërat që dëgjova unë. Ndodhi diçka e keqe, por më e rëndë është të mos pranosh gabimet. Një hetim po kryhet! Dua të falënderoj klubin tim, Juventusin, për mbështetjen, si dhe tifozët e mi, që më kanë lënë shumë mesazhe. Italia është një vend që e kam në zemër prej vitesh, por për fat të keq, siç e shihni vetë, ekziston një minorancë jotolerante. Jam Maroken dhe jam jashtëzakonisht krenar për këtë!”.