Bellai: Luftëtari super, i takon vendi i katërt

0

Gëzim Beqiri

Arjan Bellai është një nga ish-futbollistët e njohur të Luftëtarit në vitet 1985-1990, por edhe i disa skuadrave greke, si Korfuzi, Kallamata e Pas-Janina. Po ashtu, ai ka luajtur 31 ndeshje me Kombëtaren, ndërkohë që e ka drejtuar Luftëtarin në sezonin 2012-2013. Më vonë u bë edhe trajner i Kombëtares U-19. Ai e ka ndjekur ecurinë e Luftëtarit në këtë sezon dhe thekson se suksesi është arritur falë disa faktorëve shumë të rëndësishëm, që i argumenton me radhë.

EKIPI-TRAJNERI – Për ecurinë e deritanishme të Luftëtarit, Bellai u shpreh: “Suksesi i Luftëtarit është arritur, sepse ka punuar pozitivisht në shumë drejtime. Ka krijuar një grup të mirë futbollistësh, shumica nga sezoni i kaluar. Ka ndikuar shumë tek ata për të qenë më të suksesshëm se një vit më parë aftësia mirëmenaxhuese e trajnerit Milinkoviç. Ai di t’i vendosë mirë në fushë, t’i marrë maksimumin çdo futbollisti, edhe kur luan në pozicione të ndryshme. Luftëtari ka treguar vlerat më të mira të një ekipi, që funksionon si nga ana sulmuese, edhe nga ajo mbrojtëse. Skuadra i është përmbajtur skemës taktike, por nuk është treguar fanatike, kur ka qenë nevoja për të ndryshuar. Merita është e futbollistëve të rëndësishëm në sulm, si Bregu, Abazaj, Rexhinaldo dhe Rroca, të cilët bëjnë diferencën në repartin ofensiv, por edhe e grupit të lojtarëve, që dublojnë rolet e tyre. Nëse Luftëtarin, pas fazës së tretë, nuk e konsiderojnë si surpriza e këtij sezoni, dihet se pjesë e padiskutueshme e suksesit është trajneri Mlladen Milinkoviç, bashkë me stafin e tij. Nuk ka vetëm një surprizë te Luftëtari në këtë sezon, sepse ka shumë faktorë dhe aktorë të tjerë, që prodhojnë këtë mënyrë loje. Shumica e lojtarëve dhe trajneri Milinkoviç e ata që punojnë afër tij, kanë bërë emër tani që përfaqësojnë Luftëtarin. Të gjithë kanë ndikimin e tyre në arritjet e skuadrës, duke i krijuar premisa për të diskutuar në këto momente edhe Europën.”

PRESIDENTI TAVO – “Meritë patjetër që ka edhe presidenti Grigor Tavo, i cili ka bërë çdo gjë të mundur, por kryesorja është mospjesëmarrja e tij në dhomat e zhveshjes. Një detaj sa i lehtë për t’u kuptuar, aq edhe i rëndësishëm për t’u veçuar, pasi është i rëndësishëm për mbarëvajtjen e punës në ekip, pavarësisht se marrëdhëniet midis tyre kërkojnë kontakte të përhershme nën frymën e bashkëpunimit ekip-trajner-president. Ana financiare është e sigurt, ndaj dhe futbollistët japin 100%. Me një president si Tavo dhe predispozicionin e bashkisë, Luftëtari do të ketë vazhdimësi rezultatesh.”

VENDI I 4-T – “Krahas objektivit thuajse të prekshëm, qëndrimit në Superiore, Luftëtari duhet të bëjë më shumë jo vetëm për të përmbushur këtë mision, por për ta mbyllur në vend të 4-t. Në ndeshjet në vazhdim të punojë më shumë në mbrojtje, pasi pëson gol shumë thjesht, edhe kur luan më më mirë nga kundërshtari. Të jetë më kolektiv, kur del para portës. Rëndësi nuk ka se kush e bën golin, të shënoj ekipi. Është në dorën e Luftëtarit vendi i 4-t, pasi në ndeshjet në shtëpi duhet të marrë pikët e plota”. FLAMURTARI – “Fitorja  është jetike, si për Luftëtarin, edhe Flamurtarin, por ekipi ynë ka treguar se nuk toleron përballë asnjë kundërshtari. Flamurtari i këtyre viteve nuk është ai i emrave si Sokol Kushta, Rrapo Taho, Vasil Ruci, Kreshnik Çipi  etj., por në asnjë mënyrë nuk do të dëshiroja që ky ekip të bjerë nga Superliga. Rezultatin do ta vendosë fusha dhe nuk do të dëshiroja që gjyqtarët të vazhdojnë të penalizojnë Luftëtarin. I kam ndjekur të gjitha ndeshjet dhe nuk dua përsëritjen e gabimeve të qëllimshme”, – përfundon Bellai.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image