Bejte: Te Lushnja ndoshta në dhjetor

0

“Gardiani” i njohur lushnjar, Ibrahim Bejte, do të respektojë kontratën me Besëlidhjen dhe, nëse ajo nuk do të jetë pretendente, do të kthehet në “bazë”

 

Arjan Likja

 

Emri i tij është lakuar për një kalim të mundshëm te Teuta, por vetë portieri lushnjar sqaron gjithçka në një rrëfim për “Sport Ekspres”. Ibrahim Bejte, produkt i shkollës lushnjare dhe nga më të talentuarit këto vitet e fundit, ashtu si Mikel Spaho dhe Mikel Kaloshi, ende nuk e ka vendosur se me cilën skuadër do të aktivizohet sezonin e ardhshëm. Në gjysmën e parë të sezonit të kaluar ai ishte pjesë e Kukësit, si portier i dytë i veriorëve me pretendime në Superligë, ndërsa në gjysmën e dytë kaloi te Besëlidhja.

Bejte, i cili ka një kontratë me klubin lezhjan, që e mban të lidhur deri në gjysmën e kampionatit të ardhshëm, shprehet: “Për momentin jam pjesë e Besëlidhjes, sepse kam një kontratë, që skadon në muajin dhjetor. Besëlidhja ishte një nga pretendentet kryesore në grupin e veriut për t’u ngjitur në Superligë, por gabuam në ndeshjet e fundit, duke hedhur poshtë gjithë atë punë të bërë dhe gjithë ato shpenzime financiare të presidentit Gjoka.

Personalisht, jam shumë i kënaqur me trajtimin dhe korrektësinë financiare nga ana e presidencën së Besëlidhjes, ndaj edhe dua t’i qëndroj besnik kontratës me presidentin Gjoka. Ai më ka premtuar se edhe sezonin e ardhshëm do të ndërtojë një ekip pretendent për në Superligë. Nëse nuk ndodh kjo gjë, atëherë jam i detyruar që në fund të dhjetorit, kur më përfundon edhe kontrata, të shikoj mundësinë e kalimit në ndonjë ekip tjetër.

Natyrisht, që do të preferoja të luaja me një ekip Superlige. Nëse kjo nuk do të arrihej, atëherë në Kategorinë e parë pa dyshim që do të preferoja rikthimin te Lushnja”. Portieri 26-vjeçar kërkon kështu të respektojë kontratën me lezhjanët, por ai lë të hapur mundësinë e kthimit te Lushnja në fund të vitit, nëse skuadra e tij aktuale nuk do të jetë në nivelin e një pretendenti serioz për në elitën e futbollit shqiptar.

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.