Bejte i bashkohet Flamurtarit, Magani zhvillon testin e parë

0

 

Me Flamurtarin është bashkuar dje edhe portieri Ibrahim Bejte, i cili mund të quhet tashmë zyrtarisht lojtar i skuadrës vlonjate. Ai është aktivizuar titullar në ndeshjen e djeshme, që trajneri Magani kishte planifikuar për të për taë deri ku ka arritur me të tijtë. Në pjesën e dytë, vendin e tij e ka zënë portieri i ri Pano Qirko, i ardhur nga moshat e Flamurtarit. Bejte, që sezonin e kaluar është aktivizuar me Besëlidhjen, rikthehet në Superligë me fanellën e Flamurtarit.

TESTI – Vlonjatët zhvilluan dje pasdite një ndeshje kontrolli, ku trajneri Gugash Magani ka dashur të provojë në fushën e lojës gjithë lojtarët, me të cilët ka startuar përgatitjet prej datës 4 korrik. Dy formacione të përziera dhe në fund barazim, 2-2. Në formacionin e dytë, nëse mund ta quajmë kështu, ra në sy prania e lojtarëve si Danilo Alvesh, Fazliu dhe Donjet Shkodra, që në fakt mendohen titullarë për Flamurtarin e sezonit të ardhshëm. Ky test i ka shërbyer trajnerit të Flamurtarit për të parë gjendjen e lojtarëve, mënyrën e vendosjes së tyre në fushë, si dhe ku janë mangësitë, për të ndërhyrë më pas në merkato. Në pjesën e parë, ekipi i menduar si formacioni titullar, i përbërë nga Bejte, Kuqi, Marku, Çerkini, Gjinaj, Telushi, Zeqiri, Telushi, Iinuma, Radoviç, Bushiç dhe Shehaj, ka shënuar dy herë me anë të sulmuesit Shehaj dhe mbrojtësit Kuqi. Ky i fundit është aktivizuar nga stafi teknik në rolin e mbrojtësit të djathtë. Gjatë lojës janë bërë edhe zhvendosje, ku fillimisht Gjinaj e ka nisur me skuadrën e parë, për të kaluar te skuadra e dytë dhe vendin e tij e ka zënë Hyseni. Në pjesën e dytë ka dalë në pah loja e Alveshit dhe Fazliut, të cilët kanë shënuar nga një gol, duke barazuar gjithçka. Të pranishëm në këtë ndeshje ishin edhe shumë sportdashës, por nuk kanë munguar edhe drejtuesit e klubit, me në krye presidentin Sinan Idrizi.

MAGANI – Vetë trajneri Gugash Magani u është drejtuar lojtarëve gjatë ndeshjes dhe në pushimin mes pjesëve, për vendosjen e tyre në fushë dhe lëvizjet që duhet të bënin. “Ishte thjesht një ndeshje kontrolli. Pas disa ditësh stërvitje, kemi zhvilluar një takim të tillë, ku nuk mund të flasim për titullarë apo rezerva, pasi edhe formacionet ishin miks. Jemi ende shpejt për këtë fakt dhe kemi ende mjaft për të bërë në këtë drejtim. Teste të tilla i vlejnë çdo lojtari, por edhe ne si staf për të parë gjendjen e skuadrës”, – tha shkurt trajneri Magani pas ndeshjes.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.