Bejl nuk e mohon kalimin te gjigantët europianë

“Në afatin e transferimeve gjithçka është e mundur… atij do t’i pëlqente që të luante sërish përkrah Kristiano Ronaldos”. Me këto fjalë, menaxheri i Geret Bejl nuk e hodhi poshtë mundësinë që ylli uellsian të realizojë një kalim befasues nga Reali i Madridit te Juventusi.

Prej kohësh, sulmuesi po përflitet si ylli i radhës që mund të largohet nga “Santiago Bernabeu”. Fakti që nuk po luan rregullisht me klubin madrilen, mbyllja e ciklit fitues me Ronaldon dhe trajnerin Zidan, si edhe ecuria e dobët e “Los Blancos”, janë disa nga arsyet. Por, argumenti kryesor lidhet me faktin se Bejl kërkon një sfidë të re.

Menaxheri i tij, Xhonatan Barnet, shtoi spekulimet, duke lënë të hapur mundësinë e largimit nga Reali, edhe pse theksoi se futbollisti është i lumtur në kryeqytetin spanjoll. “Geret është shumë i lumtur në Madrid, por nëse do të flasim për të ardhmen, mund të them se në merkato asgjë nuk është e pamundur”.

“Largimi i Ronaldos ishte një humbje e madhe për skuadrën. Bejl ishte shumë i lumtur kur luante përkrah tij, por ai është i kënaqur, sepse luan në një prej klubeve më të mëdhenj”. Përfaqësuesi i uellsianit pranoi gjithashtu se prej transferimit të CR7 te Juventusi, tashmë yjet e futbollit botëror kanë nisur të shohin sërish me interes nga Seria A italiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *