Begeja: Qëndrojmë në Superiore

Trajneri i Teutës, Gentjan Begeja ka pranuar në fund të ndeshjes se durrsakët shpëtuan nga rënia një kategori më poshtë. Në fjalën e tij Begeja pranoi se: “Sigurisht që fati ynë ishte që Skënderbeu kishte dalë kampion dhe këtë javë kishin aktivizuar lojtarët me pak minuta. Ne e shfrytëzuam këtë aspekt. E kishim vlerësuar shumë këtë ndeshje. Megjithatë sot kemi luajtur futboll. Duke parë dhe rezultate e rivalëve tanë, lufta nuk ka mbaruar, por me shumë mundësi ne jemi në Superiore dhe për një sezon”, është shprehur në fillim Begeja.

Durrsaku foli edhe në detaj për sfidën që skuadra e tij fitoi ndaj kampionëve të Shqipërisë. “E kisha thënë që kjo ndeshje do të varej nga motivacioni. Skënderbeu është skuadra më e mirë në Shqipëri. Ne e shfrytëzuam në maksimum mundësinë që na u dha. Do të ishte tjetër “muzikë”, nëse kundërshtari do të luante me titullarët. Sot e kemi merituar fitoren dhe ajo që ka bërë diferencën te Teuta ishte motivimi”, ka vazhduar më tej trajneri i Teutës.

Relaksi duket se ka nisur në mendjen e lojtarëve, por këtë trajneri Begeja nuk e pranon. “Matematika nuk na lejon, Kemi edhe dy ndeshje. Me një rezultat pozitiv, ne do të shpëtojmë nga rënia. Ne prapë do të vazhdojmë punën. Kemi një javë kohë”, ka mbyllur Gentjan Begeja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *