Begeja: Pikë e çmuar, në një fushë të vështirë

Trajneri i Teutës, Gentian Begeja, ka mbetur i kënaqur nga barazimi në Gjirokastër, edhe pse në fund rastet për gol nuk munguan.

“Për mënyrën si shkoi loja, barazimi ishte rezultati më i drejtë, edhe pse patëm 2-3 raste të shkëlqyera në fund. Fillimi ishte jo i mirë, shumë i vështirë për ne, në disa raste Luftëtari mund të shënonte, ndaj nuk kam keqardhje për mungesën e fitores, përtej rasteve që patëm.

“Ne kishim ardhur për rezultat pozitiv, edhe barazimi ishte i tillë ndaj një rivali si Luftëtari. Teuta nuk e ka luksin të luajë hapur, një lojë sulmuese, ndaj duke parë edhe cilësinë e kundërshtarit e kishim planifikuar të tillë ecurinë e lojës. Si shkoi ndeshja, vuajtëm në pjesën e parë dhe më pas u përmirësuam, duke qenë më mirë në pjesën e dytë dhe duke krijuar raste për shënim. Mund të fitonim, mund të humbnim, ndaj jam i kënaqur me një pikë”.

“E kishim rreshtuar skuadrën duke evituar mbulimin një për një, u munduam të dublonim lojtarët në mbulim, por fillimisht nuk ishim mirë, derisa gjetëm ekuilibër dhe skuadra i bëri mirë detyrat”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *