Befasi në Berat, Tomori mbetet pa trajner

0

Edi Spahiu

Tomori nuk ka qetësi, pasi një ditë para ndeshjes me Ilirinë në transfertë, trajneri Santiliano Dule është larguar nga drejtimi i ekipit. Beratasi ua ka komunikuar disa prej lojtarëve se nuk do të jetë më në krye të stafit teknik. Dule e mori drejtimin e ekipit me përfundimin e sezonit të shkuar dhe deri më tani puna e tij me Tomorin ka qenë e mirë, teksa renditet në vendin e tretë pas Tiranës dhe Bylisit, ekipe me pretendime dhe financa të shëndosha.

Sa i takon arsyeve të largimit, ende nuk dihet gjë. Sport Ekspres ka tentuar disa herë më anë të telefonit të lidhet me trajnerin Dule, por telefoni i tij ka qenë i fikur. Nga ana tjetër klubi nuk ka bërë një reagim në lidhje me largimin e teknikut, duke arsyetuar se në zyrat e tyre nuk ka mbërritur ende kërkesa për dorëheqje. Sa kohë kjo nuk ka ndodhur, ata nuk mund të flasin për diçka të tillë, sikurse u shprehen burime zyrtare të klubit për gazetën. Duket si një rreze shprese për rikthimin e Dules, por kjo pak gjasa të ndodhë.

Në krye të ekipit ndaj Ilirisë pritet të jetë Elton Fani, ish-futbollist i Tomorit, që prej vitesh mban pozicionin e fizioterapistit. Së bashku me Dulen ka ikur edhe ndihmësi Klement Agalliu.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image