Batha: Po na plaste zemra. Pagat? Pyesni presidentin

Mesfushori i Flamurtarit, Idriz Batha, ka folur për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport” në përfundim të sfidës ndaj Tiranës.

Futbollisti i skuadrës vlonjate u shpreh i kënaqur me fitoren e sotme, ndërsa shpjegoi dhe arsyen e formës së mirë që po kalon gjatë javëve të fundit.

“Është një kampionat me shumë pak diferenca. Jam shumë i kënaqur për fitoren, por jo për lojën. Gjithsesi, Tirana është një skuadër e mirë”.

MOTIVIM EKSTRA NDAJ TIRANËS? – “Nuk ka lidhje se luaj kundër Tiranës. Të them të drejtën po stërvitem mirë në Vlorë. Ambienti është shumë i qetë dhe trajneri po bën një punë të mirë. Fanella e kundërshtarit të motivon që ta mundësh, sidomos kur është një fanellë e rëndë”.

VUAJTJET NË PJESËN E DYTË – “Minutat e fundit po na plaste zemra, pasi e vuajtëm. Nuk jemi në kampionat anglez që të vuajmë kaq shumë. Me pak eksperiencë e menaxhon situatën.

SUKAJ DHE NDËRHYRJA “KUNG FU” – “Unë nuk bëj ndërhyrje ‘Kung Fu’, asnjëri nga ne. Me Sukajn folëm pak dhe tha që rrëshqiti. Ai tha se donte të shkonte te topi, por kishte humbur ekuilibrin dhe nuk e ka kuptuar pse ndërhyri ashtu.

PAGAT? – “Për situatën e pagave më mirë të pyesni presidentin”, përfundoi Batha duke qeshur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *