Basket/ Kampionët në pikën zero, nuk kanë fonde për të siguruar sezonin

Tërheqja nga Liga Ballkanike ishte vetëm “maja e ajsbergut”. Problemet te kampionët e Shqipërisë në basketboll për meshkuj janë edhe më të thella. Nga mbështetja e munguar nga Bashkia, te fondet që nuk mjaftojnë për të siguruar vazhdimësinë deri në fund të sezonit.

Tirana e basketbollit është zyrtarisht në krizë. Kjo u konfirmua nga presidenti Anxhelo Koleka, që për “Top Channel” tregoi situatën e vështirë: “Bashkia na ka ndihmuar, por në këtë moment vështirësie nuk na ndihmoi. Na premtuan një shifër të mirë, me të cilën mund të pretendonim që të futeshim në finalet e Ligës Ballkanike, por në fund na thanë jo”.

Megjithë dominimin në dy vitet e fundit në basketbollin shqiptar, situata është alarmante. Koleka tha: “Pas dy viteve tona të suksesshme, të gjitha ekipet kanë filluar të marrin lojtarë të huaj. Basketbolli po vihej në shinat e duhura, por na u prenë krahët. Tani duhet ta fillojmë prapë nga zeroja”.

“Në këtë moment, të gjitha financat e Tiranës janë me miqësi, shoqëri, shko te njëri, shko te tjetri për të shtyrë ditën. Nuk kemi buxhet për të siguruar të gjithë sezonin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *