Bashkia shkarkon administratorin Rama: S’i lashë ndeshjen Kamzës

0

Plas te Burreli dhe duket se dalin në skenë problemet e zakonshme të kategorive të ulëta, ku pushteti “fut hundët” te sporti dhe ndeshjet “pilotohen” për arsye politike, ndërsa kush nuk bindet e pëson. Kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani, njëkohësisht Kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të shoqërisë “KF Burrel”, ka shkarkuar dje nga detyra administratorin e klubit matjan, Kastriot Rama. Lajmi qarkulloi në korridoret e kësaj njësie vendore një ditë më parë, por kryebashkiaku e mohoi largimin e Ramës nga klubi i Burrelit. Ai u tha gazetarëve: “Kemi debatuar me Kastriot Ramën për problemet me të cilat përballet skuadra dhe ecurinë e ekipit gjatë javëve të fundit, por nuk kemi vendosur ta largojmë nga drejtimi i klubit”. Ndërkohë Rama nga ana e tij e lidhte largimin me ndeshjen Burreli-Kamza. Ky i fundit aludon se i është kërkuar të favorizojë skuadrën mike, ndryshe do të kishte probleme. Mësohet se mes zyrtarëve të Bashkisë Mat dhe administratorit Rama ka pasur debate në lidhje me këtë ndeshje, madje palët nuk kanë rënë dakot në qëndrimet e tyre.

Dje, kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani, ka komunikuar me trajnerët Tanushi e Dika si dhe futbollistët, në mjediset e “Liri Ballabani”. Ai është shprehur se ka vendosur shkarkimin e Ramës nga ky post dhe ka prezantuar në këtë detyrë ish-sportistin e njohur të mundjes matjane, Demir Çupi. Kapiteni Mëllugja dhe lojtarë të tjerë të skuadrës së Burrelit, kanë kërkuar sqarime nga Rizvani për shkaqet e largimit të administratorit. Futbollistët janë shprehur se skuadra, ndryshe nga vitet e kaluara, ka pasur rezultate pozitive, madje Rama ka punuar shumë që të arrihen ato.

Atë që kryetari i bashkisë nuk e tha para futbollistëve e ka shprehur nëpërmjet vendimit që firmosi dje pasdite. Në të thuhet: “Në cilësinë e ortakut të vetëm (Bashkia Mat) vendosa: Zoti Kastriot Rama, aktualisht me detyrë Administrator i shoqërisë KF “Burreli shpk”, të shkarkohet nga kjo detyrë me motivacionin: Për rezultate të dobëta në administrimin e Klubit të Futbollit “Burreli shpk”. Në fund vendimi është firmosur nga kryebashkiaku si kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të KF Burreli.

REAGIMI – Krejt ndryshe mendon ish-administratori Kastriot Rama. Ai thotë se vendimi është i padrejtë: “Askush nuk mund të thotë se Burreli ka pasur rezultate të dobëta. Skuadra ndodhet në vendin e katërt që në fund të fazës së dytë. Ky motivacion nuk qëndron dhe me siguri gjykata do të më japë të drejtë”. Ai tregon një episod të veçantë: “Dy orë para ndeshjes Burreli-Kamza kam pasur një takim me zyrtarë të Bashkisë Mat dhe zyrtarin e klubit të Kamzës, Naim Qarrin. M’u tha se kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu dhe ai i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani kanë rënë dakord që Kamza të fitojë përballjen me Burrelin. Unë u thashë atyre se do të luajmë pastër dhe do të përpiqemi të fitojmë me ndershmëri”, deklaroi Rama për “Sport Ekspres”. Sipas ish-zyrtarit kryesor të futbollit burrelas, skuadra luajti mirë dhe arriti ta barazojë takimin. Ai kujton se pas ndeshjes zyrtarë të skuadrës së Kamzës janë shprehur se “ky rezultat do të shkarkojë drejtuesit e klubit të Burrelit”. Rama nënvizon se gjatë prezantimit të administratorit të ri lojtarët Kaloshi, Xhixha, Lleshaj e Mëllugja janë shprehur se edhe në ndeshjen tjetër me Kamzën do të luajnë fort dhe do të kërkojnë rezultat pozitiv. Sakaq, Rama ka pohuar se do të jetë pranë lojtarëve deri në arritjen e një rezultati të drejtë, të pa deformuar.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image