Basha: Torino, Shqipëria e familja, një jetë plot kujtime të bukura

0

Migjen Basha ka luajtur te Torino nga 2011 deri në 2015, klubi ku ka qëndruar më gjatë në karrierë, ndaj lidhja me klubin italian ka qenë shumë e fortë dhe kujtimet që ka lënë Basha janë të bukura, pasi ishte pjesë e një grupi të shkëlqyer që shkoi nga Seria B në A dhe luftonte për kualifikim në Europa League. “Toroneës.net” ka intervistuar mesfushorin e kombëtares sonë, i cili ka treguar historinë e tij, që është nga ato të lumturat…

TORINO – “Sa budallallëqe që nxirrnim nga goja në dhomat e zhveshjeve, duke u sharë për vdekje mes nesh, duke bërë batuta shumë të rënda për gratë apo të fejuarat, mbi gjithçka. Unë, Glik dhe El Kaduri ishim më të këqijtë, në dhomat e zhveshjeve të dilnin lotët nga të qeshurat. Omar e tallnim për mënyrën se si ecte (ai i ka këmbët pak të shtrembra), Bruno Perez i cili ka një strabizëm të lehtë, e thërrisnim nga larg pastaj dhe kur kthehej i ulërinim: ‘Ej, po sheh mua, apo atë?’. Një prej pikave më të forta të këtij grupi që filloi rrugëtimin në Serinë B, pa askënd që do të vinte bast mbi ne, që arriti në Serinë A dhe pastaj në Europa League, ishte gjithmonë niveli i miqësisë që kishim arritur mes nesh.

“Bashkë me ne, bërthamë e këtyre viteve ishin lojtarë si Vives, Darmian, Ogbona e Gaci, të gjithë djem të mbarë pa shumë eksperiencë që nuk flisnin shumë, por që kishin dëshirë të punonin. Para stërvitjeve talleshim me italishten e Çerçit (dhe vetëm fakti që ata që i bënin kritika për gramatikën ishim unë, Kamil e Glik, të gjithë të huaj, të bën të qeshësh në vetvete), ose sulmonim Lis Gomis nëse gabonte në ushtrimin me dy prekje (sa shumë shpulla kemi dhënë, aq sa të dhimbte qafa e koka për një javë). Megjithatë, kur fillonte puna, askush nuk kursehej. Jepnim maksimumin pa parë askënd në fytyrë dhe mendoj se kjo ishte ajo që bëri diferencën.

FILLIMET – “Unë dhe vëllai im i vogël kemi lindur në Lozanë, i madhi në Kosovë. Prindërit tanë janë kosovarë, por nuk kam për të treguar një histori për të qarë në lidhje me luftën pasi për fatin tonë, u transferuam në Zvicër para se të fillonte, për shkak të punës së babait. Ai nuk kuptonte shumë nga futbolli, por na çoi të luanim vetëm për të na larguar nga rruga dhe që të kalonim pak kohë. Tani e sheh veten me dy djem futbollistë (përveç Migjenit, Vullneti luan te Visla Krakovë) dhe një të tretë që kalon kohën duke komentuar paraqitjet tona. Nuk humb rast për të na kritikuar dhe shumë mirë mund të bëhej kapoultras i ndonjë tifozerie. Kur ishim të vegjël, ishim rrëmujaxhinj, me të vërtetë të prapë. Një herë, duke u munduar të ndiqja dy të tjerët, theva një derë xhami dhe rrezikova të prisja venat e krahut. Një ditë tjetër zbrita me slitë nga një mal me dëborë, por u shtriva me bark dhe kur ajo u ndal papritur, u dërrmova në mjekër. Kam qenë një fëmijë i lumtur, me një fëmijëri normale, do thosha. Por mos më pyesni kush është më i fortë mes meje dhe vëllait tim. Përgjigja ime është: asnjëri, se përndryshe do ishim te Real Madridi!

KUJTIMET – Kujtimet më të bukur atë këtyre 31 viteve janë 3. Dy janë me Torinon: ngjitja në A dhe viti i kualifikimit në Europa League. Të isha pjesë e atij grupi dhe se ndihmova për të arritur atë objektiv, për mua nuk ka çmim, edhe pse ndoshta dikush nuk kujtohet për mua, unë do t’i kujtoj gjithmonë ato momente. Pastaj kualifikimi në Europian me kombëtaren shqiptare, një tjetër emocion i pamasë. Kujtim më i bukur në absolut, sepse nuk ekziston vetëm futbolli në jetë, është lindja e vajzës time. Ajo më ka bërë të kuptoj shumë gjëra dhe më ka ndryshuar shumë.

Edhe pse ka kaluar shumë kohë, vazhdoj të marr mesazhe nga tifozët e Torinos, të cilët më kujtojnë me shumë dashamirësi dhe për mua vlen e njëjta ndjenjë drejt tyre. E vetmja njollë që lidhet me Torinon është mënyra se si më larguan.

Dhashë gjithçka për tre vite dhe isha i vlerësuar, aq sa po flitej edhe për rinovimin tim. Në fund të sezonit të tretë, u dëmtova. Rikuperimi zgjati dhe ndonëse në sezonin pasardhës Ventura me kishte dorëzuar shiritin e kapitenit dhe erdhi edhe një gol i bukur ndaj Parmës, luajta shumë pak, por më e keqja ishte se e kuptova që koha ime në klub kishte mbaruar”.

DËMTIMI DHE LARGIMI NGA TORINO – “Kisha luajtur për 8 muaj me një këmbë që dhembte. Bëja injeksione kortizonesh çdo 2-3 javë vetëm që të vrapoja. Te vizita e parë mjekësore, stafi mjekësor i klubit tha që nuk kisha asgjë. ‘Ka 20 ditë që dhimbja është shtuar dhe nuk kalon. A mund të bëjmë kontrollet të tjera’, u thashë. ‘Jo, nuk ke asgjë’, më përsëritën. M’u desh të ndalesha plotësisht, nuk arrija as të ecja më. Kërkova që të kontrollohesha nga ndonjë specialist dhe m’u përgjigjën ‘nëse do, shko me shpenzimet e tua’. Bëhej fjalë për karrierën dhe shëndetin tim, ndaj shkova në Gjermani. Zbuluan një dëmtim të rëndë në një kockë në shputën e këmbës, që kërkonte ndërhyrje kirurgjikale. U operova, duke paguar gjithçka nga xhepi im.

Në korrikun pasardhës, në momentin e fillimit të grumbullimit, nuk e kisha marrë ende veten. Klubi më tha se mund të shkoja të kurohesha ku të doja. Shkova në Bolonjë, gjithmonë me shpenzimet e mia, pastaj në gusht, me të gjithë grupin që ishte lënë pushim për tre ditë, unë zgjodha të qëndroja në klub për të vazhduar stërvitjen. Një profesionisti, në bazë të kontratës, kur është në dispozicion të një klubi duhet gjithmonë të ketë një doktor apo një fizioterapist për ta ndjekur. Torino nuk më dërgoi asnjë, qëndrova tre ditë duke bërë ushtrime i vetëm.

Për këtë arsye, që nga ajo verë e dija që klubi nuk dëshironte të më rinovonte kontratën. Zgjedhje normale, lojtarët shkojnë dhe vijnë dhe ndoshta unë e kisha mbyllur një cikël. Por për të kuptuar qëllimin e Torinos një vit para kohe, nuk m’u desh të isha fallxhor: më mjaftoi të çoja kokën nga ajo këmbë që më dhembte dhe të shihja rreth e rrotull. Isha i vetëm”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.