Basha lider te Bari, me këtë formë Panuçi nuk e braktis dot

Migjen Basha është rikthyer në nivelet më të larta, pasi te Bari po shkëlqen dhe është kthyer në një lider të vërtetë. Corriere dello Sport në edicionin e sotëm ka përmbledhur javët e mbetura të kampionatit dhe në analizën që bën në lidhje me Barin, sheh Bashën si liderin e vetëm dhe të vërtetë që mund të udhëheqë puljzët drejt Serisë A.

Mesfushori kuqezi është 31 vjeç dhe kishte vite që nuk luante në nivele të tilla, kryesisht për dëmtimet e shpeshta, por edhe lëvizjet nga Seria A, në Zvicër, në Itali te Komo e tashmë te Bari. Pikërisht në sezonin e dytë te Bari Basha ka gjetur vazhdimësi në çdo drejtim dhe mungesa e tij bie shumë në sy, aq sa Bari prej kohësh humbet vetëm kur Basha mungon për pezullim apo dëmtim.

I ngadaltë, por i qetë dhe shumë inteligjent në mesin e fushës, Basha i ka dhënë ekuilibër dhe dikton ritmin e lojës te Bari, ndaj Panuçi duhet ta kthejë patjetër në kombëtare. Procesi i rinovimit ka nisur, por nuk është aq i lehtë sa mund të mendohej dhe humbja ndaj Norvegjisë tregoi qartë se në mesfushë kemi shumë nevojë për një si Basha, me eksperiencë, ide dhe cilësi. Kur ai është në fushë, Bari është shumë më solid dhe ka një manovër mjaft të qartë sulmuese, ajo që na mungoi në miqësoren e fundit. Me Bashën në fushë Bari ka fituar 11 ndeshje, duke barazuar 6 e humbur 7, që do të thotë 73% rezultate pozitive. 24 ndeshje, me 1959 minuta deri tani në kampionat, flasin qartë për formën e rigjetur të Bashës, i cili të paktën për eliminatoret e Euro 2020 dhe për Nations League mund të na vlejë shumë, në pritje që të rriten të rinjtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *