Basha fiton bastin estonez, tani e duan në Ukrainë

0

Në korrik të këtij viti u publikua lajmi se Arbër Basha firmosi në Estoni, te Trans Narva, dhe ishte një lajm që habiti jo pak. Bëhet fjalë për një djalosh të ri, që sezonin e shkuar luajti mes Superligës e Kosovës dhe Superiores sonë, por që bëri një zgjedhje të guximshme, që pak lojtarëve shqiptarë u shkon ndërmend.

Gjithsesi, hapësirën që nuk e gjeti te Kamza tashmë Basha e ka gjetur në kampionatin estonez, sepse po e fiton bastin e tij.

Mesfushori 20-vjeçar është kthyer në titullar fiks te Trans Narva, duke luajtur 7 ndeshje në formacion në kampionat dhe duke debutuar edhe në Europa League, ndërsa pak ditë më parë gjeti edhe golin e parë si profesionist, në një ndeshje kupe.

Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa vënë re dhe pikërisht ky është synimi i Bashës, i cili ka rënë në sy dhe është piketuar nga një klub ukrainas. Olimpik Donetsk ka shfaq interesim për mesfushorin dhe “Sport Ekspres” mëson se më 8 tetor presidenti i klubit Vladyslav Helzin ka një takim me menaxherët e lojtarit, për të diskutuar mundësinë e transferimit në kampionatin ukrainas.

Olimpik është aktualisht në mesin e tabelës në Superligën ukrainase, me 12 pikë në 10 ndeshje, duke synuar ta mbyllë sezonin e rregullt në gjashtëshen e parë, që vijon më pas garën për të përcaktuar ekipet që shkojnë në kupat e Europës.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.