“Bare i pa eksperiencë dhe “talentet” 25-vjeçarë në Shqipëri”! Specialistët tanë e marrin një shuplakë të fortë nga Spanja

Nga Klaudio Ndreca

“Po si mund të aktivizohet Keidi Bare? Ai nuk ka fare eksperiencë.” Kjo është mënyra sesi u prit mesfushori shqiptar 21-vjeçar asokohe teksa trajneri Reja do t’i jepte vendin e titullarit dhe do t’i vishte përfundimisht fanellën e kuqezinjëve A. Flasim për specalistët e futbollit shqiptarë që nuk ngurrojnë të kritikojnë, shpeshherë edhe pa arsye, vetëm për të qenë zëri kundër, pasi kështu bëhen më interesantë.

Po ata specialistë që në fund duartrokasin dhe thurrin elozhe për lojtarin që sipas tyre nuk duhej të aktivizohej kurrë, pa kërkuar falje për mendimin e dhënë më parë. Pasi kjo është edhe vetë kultura dhe modeli i gabuar që funksionon në Shqipëri. Në moshën e hershme nuk do të jepet kurrë një mundësi sado e vogël, sepse je ende i ri, por në fund për të bërë hapin e madh do të kërkohet gjithmonë eksperienca që nuk ke pasur shansin më të vogël për ta marrë.

Pikërisht në vendin tonë të vogël, Shqipërinë, ku ende cilësojmë si talente ata lojtarë që kanë mbushur 25-vjeç dhe që në botë cilësohen të pjekur aqsa kanë mbërritur kulmin e karrierës së tyre. Një shuplakë e fortë erdhi sot nga Spanja, atje ku tregohet saktësisht sesa ka përparuar futbolli dhe sesa hapa jemi ne mbrapa me llogjikën e futbollit europian. Luka Romero, ishte ky futbollisti i aktivizuar nga Majorka në minutën e 84 të takimit, në përballjen ndaj Realit të Madridit. Një debutim në moshën 15-vjeçare që ka marrë vëmendjen e të gjitha mediave europiane, për të treguar ndryshimin dhe përparimin e madh në futboll, atje ku shansi po i jepet gjithmonë e më tepër talenteve që janë e ardhmja.

Por nëse kjo temë do të shtrohet ndonjë ditë në televizionet shqiptare, sigurisht që për specialistët tonë mund të ketë edhe këtu një justifikim: “Epo mirë, është bërë kot kaq e madhe. Luka Romero luajti vetëm 6 minuta ndaj Realit të Madridit”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *