Bare: Duam vendin e parë, edhe ata të Spanjës njerëz janë!

Mesfushori i Atletikos nuk ndihet i përkëdhelur: “Fakti që mbaj shiritin do të thotë se kështu vendosi trajneri, jo sepse luaj me një klub në Spanjë”

Luan në Spanjë me Atletiko Madridin dhe konsiderohet si një nga ata futbollistë të kombëtares U-21 që shumë shpejt do të hedhin hapin e mëtejshëm, për të qenë pjesë e kombëtares së madhe. E kështu, Kejdi Bare nuk i trembet presionit. Sigurisht, të stërvitesh me Diego Pablo Simeonen duhet të jesh një ushtar gati për çdo vështirësi dhe ndaj nuk ia ka frikën askujt. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, ja se si u shpreh mesfushori.

Pritshmëri shumë e lartë për këtë ndeshje. Cilat janë premisat ose armët më të forta të Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe mbështetjen e publikut që do të jetë i numërt?

Estonia është një ekip shumë i fortë, që në fazën mbuluese mbrohen mirë, por edhe në sulm nuk duhen nënvleësuar, pasi kanë elementë cilësorë, edhe pse siç e thashë, theksoj prapavijën, pika më e fortë e tyre. Ndërsa ne jemi një ekip me lojtarë të rinj që kanë pak që punojnë mes tyre dhe besoj se fazën sulmuese e kemi më mirë se atë në mbrojtje. Do të japim maksimumin për të dhënë gjithçka në këtë ndeshje.

Jeni vetëm 19-vjeç, keni luajtur 6  ndeshje me kombëtaren U-21 por jeni kapiten i saj. Ndiheni i privilegjuar për këtë fakt dhe ju ndihmon shumë që jeni një lojtar i cili stërvitet me Atletiko Madridin?

S’e besoj se është ky motivi pse jam kapiten, pasi e vendos trajneri atë gjë. Besoj se edhe pse kam debutuar me Atletikon nuk do të thotë asgjë. E zgjedh trajneri, siç e thashë, se kush mban shiritin.

Çfarë mësuat nga përballja me Francën, duke qenë se janë ndoshta ekipi më i mirë në botë dhe cili është objektivi i Shqipërisë në këto eliminatore?

Ndeshja me Francën ishte test për të parë lojtarët dhe se si mund të luajmë ndaj Estonisë. Mendoj se në këto eliminatore do të provojmë sa më larg dhe synojmë vendin e parë. Shpresojmë që të ndodhë kjo gjë, duke marrë një rezultat pozitiv dhe të ecim me këmbën e mbarë.

Të kesh Spanjën në grup mos është e vështirë të flasësh për vend të parë?

E vështirë është por njerëz janë ata, njerëz jemi edhe ne. Zemër kanë ata, zemër kemi edhe ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *