Barcelona në krizë të plotë, rrezikon të humbasë dhe Mesin

Largimi i Nejmarit ka krijuar një boshllëk të madh, por mund të pasohet dhe nga largimi i Leo Mesit

Shuplakë pas shuplake për Barcelonën, që duket se ka perënduar vërtet dhe është zhytur në një krizë të thellë. Më së shumti menaxheriale, por që po reflektohet edhe tek skuadra në fushë. Shitja e Nejmarit është shoqëruar me humbjen 1-5 përballë Realit në Superkupën e Spanjës (1-3 në Barcelonë dhe 0-2 në Madrid). Por më e keqja mund të mos ketë mbërritur ende për katalanasit. Nuk ka më Nejmar, por më keq nuk ka ende një zëvendësues për të dhe më e kqja akoma nuk ka një rinovim të Lionel Mesit, pavarësisht zërave nga “Camp Nou” se gjithçka është mbyllur! Për momentin Barcelona është copë kur mungojnë vetëm tri ditë nga fillimi i kampionatit. Por çfarë ka shkuar kaq keq me Barcelonën, që vetëm tri muaj më parë fitonte Kupën e Mbretit dhe arrinte deri në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve?

Përgjegjësia – Ai që ka më pak përgjegjësi në këtë çorbë është trajneri Ernesto Valverde. Por ai vetë ka fajësuar jo pak Nejmarin duke deklaruar: “Kanë ndodhur shumë gjëra gjatë verës, në fazën përgatitore që nuk na kanë ndihmuar aspak.” E qartë referenca, loja e tejzgjatur mes Nejmarit, Barcelonës dhe PSG-së ka krijuar krisje në ekip dhe Barcelona tashmë është në garë me kohën për të zëvëndësuar brazilianin.

Drejtuesit – Nejmar në fakt nuk ishte një histori e panjohur për drejtuesit e Barcelonës. Ata më shumë se kushdo e dinin përpara shumë kohësh se Nejmar do të largohej. Pike i ka nxjerrë zbuluar, teksa javën e kaluar deklaronte se Nejmar kishte nisur të gatuante largimin që përpara dasmës së Lionel Mesit, në fund të qershorit. Këtë e dinin të gjithë në skuadër. Dhe me siguri duhej ta dinin dhe drejtuesit, pavarësisht një hendeku mes palëve.

Përplasjet drejtues-lojtarë –  Përsëri është Pike që ka zbuluar kartat. Mbrojtësi i drejtpërdrejtë si gjithnjë, ka drejtuar gishtin nga “kollaret”. Më i padëshiruari ndër lojtarët është menaxheri Pep Segura. Legura vetëm sa rëndoi situatën duke fajësuar Pikenë për humbjen në “Camp Nou” në finalen e parë 1-3. Kjo solli dhe reagimin e aspër të Buskets para takimit të kthimit në Madrid…

Tifozët duan kokën e presidentit – Ata duan largimin e Bartomeut. Shitja e Nejmarit dhe blerja e Paulinjos kanë acaruar shumë tifozët “Blaugrana”.

Mesi fatal – Por e keqja më e madhe mund të mos ketë kaluar ende në “Camp Nou”. Ok, Nejmar ka krijuar një gropë që po tentohet të mbushet nga dyshja Kutinjo-Dembele. Por çfarë po ndodh me Lionel Mesin. Duhej të kishte firmosur rinovimin që përpara dasmës. Por e vërteta është se nuk ka asnjë zhvillim në këtë front. Mesi ndoshta nuk do të shkojë deri aty sa t’i kthejë shpinën ekipit, por duke zvarritur pambarimisht rinovimin e kontratës po shton gjithnjë e më shumë presionin mbi drejtuesit. Edhe tifozët kanë nisur të ndiejnë frikën e një largimi të mundshëm të “Pleshtit” që praktikisht do të shënonte dhe shpërbërjen e Barcelonës. Largimi i mesit do të ishte vërtet fatal.

Rrugëdalja – Për momentin zgjidhja është afrimi i lojtarëve cilësorë. Osman Dembele dhe Filipe Kutinjo do të rregullonin diçka në ekip. Marrëveshja me ta është fare pranë sipas menaxherit Segura, por deri në zyrtarizimin e tyre në Barcelonë po mbajnë frymën pezull.

Raporti me Realin – Ajo çfarë dhemb më shumë në Barcelonë është fakti se Reali i Madridit po fiton pambarimisht dhe me stil, duke luajtur një lloj futbolli me të cilin Barcelona mahniti botën këtë dhjetëvjeçar, veçanërisht nën drejtimin e Guardiolës dhe të Luis Enrikes. Kros dëshironte Barcelonën kur Pep ishte trajner, Modriç ishte gati të vinte në “Camp Nou”, Isko ishte i mahnitur nga ideja për të luajtur me Leo Mesin, por të gjithë shkuan në Madrid. Kështu dhe Asensio, “vrasësi” i Barçës në finalet e Superkupës.

Përfundimi – Me shumë mundësi, ky parashikohet një sezon mediokër për Barcelonën që do të kulmojë me largimin e presidentit. Mesi me shokë dhe disa blerje të reja mund ta mbajnë ende lart Barcelonën, por kurrsesi për të arritur Realin aktual. Dhe për Barcelonën vetëm kjo gjë vlen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *