Barcelona në grevë, sot nuk ka stërvitje

Klubi i Barcelonës nuk mund të injorojë ngjarjet e rënda që kanë ndodhur ditët e fundit në Katalonjë. Sot drejtuesit kanë vendosur të mbyllin klubin në formë proteste për referendumin mbi pavarësinë e vendlindjes së tyre, që për ta duhet të jetë shtet më vete. Si pasojë e mbylljes së gjithçkaje (ndoshta për disa ditë), futbollistët e Barcelonës nuk pritet të paraqiten në stërvitje, pavarësisht çdo kostoje që kjo mund të ketë për Leo Mesin me shokë në aspektin sportiv. “Barcelona sensibilizohet dhe i bashkohet grevës mbarë vendore, e organizuar nga ‘Tryezë për Demokraci’, prandaj ju njoftojmë se klubi do të jetë i mbyllur nesër (sot). Asnjëri prej ekipeve tona, as ato të të rinjve, nuk do të stërvitet”, ka njoftuar klubi katalanas me një komunikatë zyrtare, e transmetuar edhe në televizionin privat.

Rezultati i referendumit të mbajtur të dielën ishte 90% pro pavarësisë, por të paktën 92 persona janë plagosur rëndë dhe janë në gjendje të rëndë, ndërsa 844 të tjerë pësuan dëmtime të lehta si pasojë e ndërhyrjes së forcave të policisë. Katalanasit janë goditur me fishekë prej gome, por ata depërtuan në qendrat e votimit me çdo kusht për të realizuar ëndrrën e të parëve. Sindikatat që nisën grevën kanë reaguar ashpër ndaj dhunës së ushtruar. 1 tetori për ta do të mbahet mend jo vetëm si data e referendumit, por edhe e qëndresës katalanas.

Presidenti i Barcelonës, Hosep Maria Bartomeu, aktualisht nuk e ka mendjen te rezultatet e skuadrës. Ai ka dhënë një reagim zyrtar pas detyrimit të katalanasve për të luajtur me Las Palmasin kundrejt dëshirës së tyre. Barcelona u kërcënua me gjobë dhe heqje pikësh, po të mos luante. “Do të kërkojmë për shpjegime, sepse është e papranueshme që ata nuk pranuan pezullimin dhe shtyrjen e ndeshjes. Ne do ta çojmë sa më lart që të mundemi dhe është e sigurt që do të ketë pasoja”, – ka thënë numri 1 i klubit katalanas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *