Barcelona në formë, ëndërron të bëjë “remuntada”

0

Ka skuadra të cilat ëndërrojnë përmbysjen, por ka edhe skuadra të cilat janë të dënuara për ta realizuar atë. Kjo është Barcelona. Kampionët e Spanjës sonte kanë detyrën për të përmbysur humbjen 4-0 që kanë pësuar ndaj PSG-së në ndeshjen e parë të tetësheve në Champions League dhe për këtë do të luajnë me gjithë “arsenalin” e tyre. Edhe nëse Barcelona do të kishte humbur 8-0, në “Camp Nou” prapë do t’ia kërkonin atë që tashmë nuk e quajnë magji, por thjesht “remuntada”. Sigurisht, do të ishte më e mrekullueshmja e të gjitha kohërave.

“Barcelona beson te përmbysja ndaj PSG-së”, – shkruante dje e përditshmja spanjolle “El Mundo Deportivo”. Besojnë futbollistët, besojnë edhe tifozët. Nëse ekziston një skuadër në botë e aftë për të fituar 4-0 kundër francezëve, kjo është pikërisht Barcelona. Leo Mesi me shokë mund t’ia dalin.

Si për çudi, Barcelonës i ka bërë mirë humbja me parisienët, pasi tek ata gjërat kanë ndryshuar diametrikisht në drejtim pozitiv. Trajneri Luis Enrike ka komunikuar vendimin që në fund të sezonit do të largohet, ndërkohë skuadra ka fituar katër ndeshje radhazi. E dini se katalanasit kanë bërë dy goleada në dy ndeshjet e fundit? Po, 6-1 ndaj Sporting Gijonit dhe 5-0 ndaj Selta Vigos. A është kjo nxehja e tyre?

Ka plot arsye për të besuar te triumfi dhe, sigurisht, jo nga deklaratat e ngjashme me parullën e Barak Obamës “Po, ne mundemi”. Nejmar duket në formë të mirë. Të shtunën arriti të shënojë, ndërkohë që në kampionat, gjatë këtij sezoni ka realizuar 8 gola. “Ky është sezoni im më i mirë që nga koha që kam ardhur këtu. Ajo ndaj PSG-së do të jetë një ndeshje e madhe”, – ka deklaruar braziliani së fundmi. Edhe Buskets duket mirë dhe kjo u pa të shtunën, kur “vodhi” 12 topa, prej të cilëve 6 në gjysmëfushën kundërshtare. Mesi gjithashtu është në formë. “Pleshti” është kryegolashënuesi i La Ligës deri tani dhe në ndeshjen e fundit shënoi dopietë. Po, mrekullitë edhe ndodhin. Barça shpreson…

 

FORMACIONET E MUNDSHME

Barcelona: Ter Shtegen – Maskerano, Pike, Umtiti – Roberto, Rakitiç, Buskets, Iniesta – Mesi, Suarez, Nejmar

PSG: Trap – Kurzaua, Silva, Markinjos, Monier – Matuidi, Rabiot, Verrati – Lukas, Kavani, Di Maria

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here