Barcelona ndihmon Interin për kualifikimin në Champions, lihet jashtë Lionel Mesi

Mbrëmjen e nesërme do të luhet edhe ndeshja e fundit e fazës së grupeve të Champions League, ku Interi duhet të luftojë patjetër për të dalë me fitore nga “Xhuzepe Meaza”, në mënyrë që të arrijë në fazën me eleminim direkt. Por fati duket se po i buzëqesh zikaltërve, teksa përpos faktorit fushë, përballë do të ketë një Barcelonë që objektivin e saj e ka përmbushur që javën e shkuar.

E si për t’ia bërë Kontes më të lehtë ka menduar Valverde, që ka vendosur ta lërë pushim fituesin e 6 Topave të Artë, Lionel Mesin, duke i dhënë kështu një dorë kundërshtarëve. Por argjentinasi nuk do të jetë i vetmi që nuk do të zbresë në fushë mbrëmjen e djeshme, pasi mungesa të tjera për katalanasit do të jenë edhe mbrojtësi Pike, Sergi Roberto, Semedo, Xhordi Alba dhe Dembele.

Duke parë gjithë këto mungesa, të kombinuara me faktin se Barcelona tashmë e ka siguruar biletën për fazën tjetër, atëherë Interi nuk mund të imagjinonte situatë më të mirë në këtë moment . Tani kualifikimi është i gjithi në duart e zikaltërve./Sport Ekspres/