“Barcelona ime më e mira në histori? Ka vetëm një mënyrë për ta mësuar!”

Pep Guardiola është një ndër trajnerët më të mirë aktual në futboll. Trajneri spanjoll, u bë i njohur me Barcelonën e tij dhe me “tiki-takan” e famshme. Pikërisht, lidhur me atë kohë, Guardiola ka folur së fundmi në një intervistë, ku ka bërë një rrëfim për të mos u humbur.

“Shpesh jam pyetur nëse ishte ekipi më i mirë i të gjitha kohërave, ose një ndër më të mirat. Kjo pyetje është diçka që nuk ka përgjigje. Është si një libër i ri që publikon, është i bukur apo jo? Si premiera e një filmi të ri, është i bukur apo jo? Do ta dimë përgjigjen brenda 25 viteve. Varet nëse njerëzit do të vazhdojnë të flasin për ne.

Nëse do të flasim edhe pas 25 viteve për atë libër, do të thotë që ka qenë libër i bukur. Nëse njerëzit flasin edhe pas 25 viteve për një film që kanë parë, do të thotë që ka qenë përsëri i bukur. E njëjta gjë do të ndodhë dhe me ekipin tonë.

Por, a ishim ne më të mirë se sa Milani i Sakit, Brazili i Pelesë apo Ajaksi i Krujfit? Çdokush do të ketë opinionin e tij dhe do ta mbrojë me pasion atë që mendon. Unë do të thoja që ekipi im ka qenë brilant, por Johan Krujf për shembull do të kundërshtonte, duke menduar për ekipin e tij, po ashtu si Saki, i cili do të mbronte Milanin e tij dhe të gjithe ne do të kishim të drejtë.

Në rast se pas 25 vitesh do të vazhdojnë të flasin për ne, nuk do të flasin për trofetë që fituam, por për lojën që bënim. Nëse do të na kujtojnë, do të thote që e kanë shijuar atë që kanë parë nga ne. Do të jetë një mister i madh. Do të na kujtojnë apo jo?”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *