Barcelona fiton 0-8, Bayerni trembet!

0

Kjo Barcelonë është e çmendur! Në javën e 35-të në La Liga, skuadra e Luis Enrikes ka realizuar një fitore spektakolare në transfertën e Kordobës, duke lëshuar kështu një paralajmërim tjetër për Bajernin pas fitores 6-0 në ndeshjen e fundit, pak ditë para ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Treshja e frikshme e sulmit katalanas, “MSN”, vazhdoi “avazin” duke shënuar gola; Mesi dy, Suarez tre dhe Nejmar një.

Ndeshja – Vendasit arritën të mbaheshin në pjesën e parë, por vetëm deri në minutën e 42-të, kur blaugranët regjistruan golin e parë. Mesi dhuroi një pasim në zonë tek Ivan Rakitiç, i cili e hapi serinë e golave (42’). Në minutat shtesë të pjesës së parë, erdhi edhe goli i dytë i kryesuesve të La Ligës. Iniesta e gjeti për mrekulli Luis Suarezin dhe uruguaiani e futi topin në rrjetë (45’+2). Porsa filloi pjesa e dytë, i erdhi radha Lionel Mesit për të shënuar. Alves harkoi në zonë dhe argjentinasi lëshoi një goditje të fortë me kokë që u ndal në rrjetë (47’). “Pleshti” as nuk kërceu për të goditur saktë. Edhe goli i dytë personal i Luis Suarezit ishte me kokë (53’), ndërsa harkimi sërish erdhi nga Dani Alves. Rakitiç harkoi nga këndi dhe Xherard Pike shënoi golin e pestë të katalanasve (65’). Lionel Mesi realizoi edhe golin e dytë personal dhe të gjashtin për ekipin e Luis Enrikes (80’). Trajneri asturian nuk guxoi t’i zëvendësonte yjet e tij të sulmit. Një mundësi për të realizuar në këtë ndeshje fantastike pati edhe Nejmar, i cili shënoi nga penalltia (85’). Gjest fisnik i Mesit, i cili mund të shënonte tripletë personale në këtë ndeshje. Luis Suarez kompletoi tripletën e vet dhe e vendosi rezultatin e fundit të takimit (88’). Kjo Barcelonë nuk ka më kufij, ka vetëm gola. Me shënimin e gjashtë golave nga treshja “MSN”, tani kuota e golave të tyre gjatë këtij sezoni (bashkë) shkon në 108.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here