Barcelona është Mesi, superheroi është rikthyer

Botërori është një kujtim i largët, një ëndërr e keqe që largohet sapo Lionel Mesi shkel në Katalunjë. Barcelona ka nisur kampionatin me një fitore të pastër 3-0 ndaj Alavesit, por nuk ishte një shëtitje dhe u desh një Mesi spektakolar për të thyer një rival kokëfortë.

Pjesa e parë nuk prodhoi gola dhe Barcelona u mjaftua me dominim në lojë, por hasi në mbrojtjen e fortë të miqve dhe gjithçka kalonte nga këmbët e Mesit, me mesfushën e Barçës që ishte pa pikë fantazie.

Pas pushimit muzika ndryshoi, sepse u fut Filipe Kutinjo, por sërish shanset në zonën kundërshtare nuk po dukeshin. U desh një magji e Lionel Mesit në minutën e 64-t për të thyer Alavesin, sepse “Pleshti” ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi, duke befasuar portierin kundërshtar.

Aq u desh që Alavesi të dorëzohej dhe më pas Filipe Kutinjo gjeti golin e sigurisë, para se në fund Mesi të shënonte edhe golin e tretë.

Goli i parë ishte ndeshjes ishte historik, sepse Mesi shënoi golin e 6000-të të Barcelonës në La Liga. Edhe golin numër 5000 e ka shënuar Mesi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *